RADIOAMATORIZMI
Radioamatorizmi është një sport dhe, njëkohësisht, një shërbim i rëndësishëm për komunitetin dhe shoqërinë, si edhe një fushë hulumtimi teknik e aktiviteti tekniko‑shkencor. Radioamatorët trajnojnë dhe përmirësojnë njohuritë e tyre në fushat e radios, elektronikës bazë dhe informatikës; mësojnë rregullat dhe mënyrat e komunikimit me valë; zhvillojnë lidhje miqësie me radioamatorë nga e gjithë bota; si dhe marrin pjesë në gara të kategorive të ndryshme, në ambiente të mbyllura dhe të hapura. E veçanta është se të gjitha këto aktivitete realizohen edhe pa përdorimin e smartphone‑ve apo internetit.
Në rastet e black‑out‑eve, fatkeqësive natyrore apo krizave të tjera, komunikimet publike dhe shërbimet e telefonisë dhe/ose internetit mund të mos funksionojnë pjesërisht ose të jenë plotësisht të paralizuara, duke penguar autoritetet përkatëse në komunikimin dhe dërgimin e thirrjeve të emergjencës.
Në këto situata, radioamatorët, me pajisjet dhe antenat e tyre, mundësojnë lidhjen me stacione të tjera radioamatore, të cilat më pas komunikojnë me autoritetet përkatëse. Kështu, ata i shërbejnë komunitetit dhe shoqërisë, duke kontribuar drejtpërdrejt në shpëtimin e jetëve.
Të mos harrojmë se deri në fund të shekullit të kaluar, të gjitha komunikimet tokësore, detare dhe ajrore realizoheshin me anë të telegrafisë. Edhe sot, telemetria, transmetimi i të dhënave meteorologjike (satelit‑tokë/det), komunikimet e emergjencës, njësitë ushtarake dhe shërbime të tjera të specializuara vazhdojnë të përdorin telegrafinë për komunikim dhe transmetim të dhënash.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njësitë MARINES janë pjesë e forcave të armatosura dhe përfshijnë njësi të specializuara të quajtura Shërbimet Radio Amatore të Marinës. Anëtarët e këtyre njësive trajnohen, përgatiten dhe kalojnë testimin zyrtar për operator radioamator, në mënyrë që të jenë të gatshëm të sigurojnë komunikime ndërlidhëse në kohë emergjencash, në bashkëpunim me radioamatorët civilë. Kjo e bën radioamatorizmin në marinën e SHBA një shërbim me rëndësi të madhe - dhe shembuj të tillë ka plot edhe në vende të tjera.
Grupimet e operatorëve radioamatorë - klube, shoqata, organizata dhe federata - organizojnë një sërë garash dhe aktivitetesh të ndryshme, si p.sh.: ARDF (Amateur Radio Direction Finding) - Garat e Gjetjes së Drejtimit, të njohura edhe si FoxHunting (Gjuetia e Dhelprës). Këto nuk kanë lidhje me gjuetinë e kafshëve; pjesëmarrësit, të pajisur me radio, kufje dhe antena dore, kërkojnë me shpejtësi transmetues të fshehur qëllimisht në zona kodrinore, malore ose pyjore. Në kohë krizash, këto aftësi janë jetike për shoqërinë dhe vendin; SOTA (Summits On The Air) - Aktivizimi i majave malore me stacione radioamatorësh; IOTA (Islands On The Air) - Aktivizimi i ishujve për lidhje radio ndërkombëtare; Kampionatet Botërore të HF-së të organizuara nga IARU – Organizata Ndërkombëtare e Radioamatorizmit; HSTWC (High Speed Telegraphy World Championship) - Kampionati Botëror i Telegrafisë me Shpejtësi të Lartë, një nga garat më prestigjioze të radiosportit.
Sporti, në përkufizimin ndërkombëtar, është një aktivitet që përfshin përpjekje fizike dhe përdorimin e aftësive mendore, ku individë ose ekipe garojnë për argëtim dhe sfidë. Pra edhe Sporti i Radioamatorizmit, me të gjitha këto elemente, është jo vetëm sport, por edhe radio‑sport në kuptimin e plotë të fjalës!
Kush është radioamatori?
Radioamatori është një person që, pasi ka mësuar dhe është përgatitur në temat përkatëse në fushat e elektroteknikës, informatikës, rregullave dhe legjislacionit në fuqi për radiokomunikimet, ka arritur të kalojë me sukses provimin për operator radioamator dhe ka marrë autorizimin zyrtar (lejen e transmetimit). Ky autorizim i jep të drejtën të komunikojë me radio me persona të tjerë, të cilët janë gjithashtu të autorizuar ligjërisht për këtë qëllim, pra me radioamatorë.
Këto komunikime bëhen sigurisht në bandat e frekuencave të caktuara me ligj, për Shqipërinë nga AKEP - Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare në bashkëpunim e koordinim me ITU - Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, i cili përcakton edhe ndarjen globale të brezave të frekuencave.
AKEP është institucioni shtetëror zyrtar shqiptar që, pas provimit për patentën e operatorit radioamator, u lëshon radioamatorëve shqiptar shenjën e thirrjes dhe lejen e transmetimit. Me këtë leje, operatorët radioamatorë njihen në mënyrë unike në të gjitha vendet e botës dhe autorizohen të operojnë në të gjitha bandat, frekuencat dhe mënyrat e operimit të përcaktuara për Shqipërinë, rajonin dhe mbarë botën.
Disa mund ta mendojnë radioamatorizmin thjesht si një hobi, duke u nisur nga fjala “amator”, por ky është një perceptim tepër sipërfaqësor dhe krejtësisht i gabuar.
Në këtë kontekst, fjala “amator” nënkupton se shërbimi radioamator nuk kryhet në këmbim të parave apo për qëllime fitimi, por ofrohet tërësisht për komunitetin dhe shoqërinë. Operatorët radioamatorë, me përgjegjësi të plotë dhe njohuri të thelluara profesionale, kontribuojnë vullnetarisht për të mbajtur komunikimet, edhe në kohë emergjencash civile, duke ofruar një shërbim me rëndësi jetike.

Federata Shqiptare e Radioamatorizmit është themeluar në vitin 1952 dhe, në bashkëpunim me shoqatat dhe radio‑klubet sportive të radioamatorizmit në rrethe, organizon aktivitete të ndryshme, mbështet aftësimin e të rinjve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të merren me këtë sport dhe aktivitet tekniko‑shkencor shumë interesant, si dhe ndihmon në përmirësimin dhe përditësimin e njohurive të radioamatorëve anëtarë.
Disa foto nga aktivitete te ndryshme

Ekipi Kombëtar në Kampionati ballkanik High Speed Telefraphy

Operimi ne Telegrafi gjatë një kontesti

Tasto e thjeshtë telegrafie e bërë me mjete rrethanore

EME ZA5V në vitin 2018: Testim i radiove dhe antenave përpara operimit

Grupi i operimit EME (earth-moon-earth) me shenjë thirrjeje ZA5V në vitin 2018 së bashku me radioamatorët e rinj