Njoftime
03.06.2026 - Avokati i FSHR njoftoi Presidentin e FSHR që po vijohet me përgatitjen e procedurave ligjore me MTKS (ish MAS) dhe Bashkitë Elbasan e Krujë në lidhje me shpërblimet e sportistëve elitarë për rezultatet e arritura në Kampionatet Botërore 2022 dhe 2023 dhe Kampionatet Kombëtare 2023, 2024 dhe 2025.
27.05.2026 - Presidenti i FSHR, z. Florian Gjonej, ka njoftuar klubet anëtare se, për shkak të mospjesëmarrjes së Sekretarit të Përgjithshëm në mbledhjet e KE dhe tani për arsye të pushimit të përkohshëm pas një ndërhyrjeje, mbledhja e ardhshme e Komitetit Ekzekutiv të FSHR për pikat e mbetura pa u trajtuar në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, do të zhvillohet gjatë javës së parë ose të dytë të qershorit. Gjothashtu në vijim të vendimeve të mbledhjeve të fundit të KE, ju është kërkuar kryetarëve të klubeve sportive që brenda muajit maj 2026 të përmbushin detyrimet e mëposhtme:
1. Përfundimin e mbledhjes së kuotave të anëtarësimit (federimi i sportistëve) për vitin 2026.
2. Dërgimin e listës paraprake të pjesëmarrësve për Kampionatin Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë HST 2026.
3. Njoftimin nëse klubi që drejtojnë ka interes dhe mundësi të marrë përsipër organizimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë HST 2026.
4. Njoftimin nëse dikush ka interes dhe mundësi të marrë përsipër koordinimin e ekipit kombëtar për Kampionatin Botëror HST 2026.
5. Dërgimin e listës paraprake të pjesëmarrësve dhe shoqëruesve të mundshëm për Kampionatin Botëror HST 2026 (8-12 tetor, Tunizi).
6. Dërgimin e listës së pjesëmarrësve dhe shoqëruesve që kanë dëshirë dhe mundësi të mbulojnë vetë kostot për Kampionatin Botëror HST 2026 (8-12 tetor, Tunizi), sipas përllogaritjeve të përafërta paraprake rreth 605-855€/sportist dhe 530-780€/shoqërues (hoteli + viza tuniziane + transferta aeroporti + fluturimi me avion).
Këto të dhëna (pikat 2, 5 dhe 6) janë të domosdoshme për të mundësuar planifikimin organizativ, marrjen e ofertave dhe kryerjen e prenotimeve sipas kalendarit - përndryshe është e vetkuptueshme që FSHR për arsye vonesash të klubeve sportive, detyrohet të shtyjë në kohë të gjitha planifikimet deri në përmbushjen e tyre.
Për çdo paqartësi ose nevojë për sqarim, klubet mund të kontaktojnë Presidentin e FSHR në çdo kohë.
21.05.2026 - Presidenti i FSHR, z. Florian Gjonej, i kërkoi përsëri informacion Avokatit të FSHR në lidhje me ecurinë e procedurave ligjore që lidhen me shpërblimet e sportistëve elitarë për rezultatet e arritura.
18.05.2026 - Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FSHR: Më datë 18 maj 2026 ora 18:00-19:45, u zhvillua mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FSHR ku morën pjesë dy anëtarë të RSB znj. Zhulieta Hoti dhe znj. Zenepe Dedja, Kryetarja e RSE znj. Elvira Shërali, Kryetari i RSK z. Kujtim Çela dhe Presidenti i FSHR z. Florian Gjonej. Gjatë mbledhjes u diskutuan çështje të rëndësishme organizative, me fokus të veçantë në rregulloren e Kampionatit Botëror dhe mundësitë e pjesëmarrjes së ekipit shqiptar. Presidenti i FSHR përsëriti edhe një herë se pjesëmarrja indirekte e motrës së znj. Zhulieta Hoti, znj. Dhurata Hoti (meqë në të njëjtën banesë) në mbledhjen e KE, si dhe ndërhyrjet e saj gjatë diskutimeve të anëtarëve të KE të FSHR, në një kohë që ajo nuk është, janë të papranueshme dhe të patolerueshme. Në rast përsëritjeje do të merren për të masat e nevojshme sipas rregullave e kompetencave. Gjatë mbledhjes u artikuluan në mënyrë të përsëritur nga znj. Zenepe Dedja disa akuza dhe pretendime të ndryshme e cila ishte në linjë të tërthortë të mundësuar nga znj. Dhurata Hoti përmes pjesëmarrjes së znj. Zhulieta Hoti - shpresojmë të jenë vetëm keqkuptime! Për këto çështje janë dhënë sqarime zyrtare pas mbledhjes së KE të dt. 13.05.2026 nga Presidenti i FSHR më dt. 14.05.2026 ora 12:32, të cilat anëtarja e RSB nuk i kishte lexuar dhe nuk ishte informuar nga kryetarja e RSB znj. Zhulieta Hoti, e cila gjithashtu nuk ndërhyri asnjëherë për të sqaruar anëtaren e klubit të saj.
Me shumë durim u ripërsëritën sqarimet disa herë gjatë mbledhjes nga Presidenti i FSHR si dhe në fund nga Kryetarja e RSE. Në mbyllje të mbledhjes së KE, Presidenti i FSHR z. Florian Gjonej i kërkoi anëtarëve të KE të RSB, znj. Hoti e znj. Dedja si dhe kujdo tjetër, që për çdo dyshim, akuzë apo kërkesë të mëtejshme, ti formulojnë me shkrim, në mënyrë që të jepet përgjigje zyrtare po me shkrim, e kështu janë të gjitha të vlefshme për përdorim të mëtejshëm institucional dhe ligjor.
Për arsye transparence, edhe kjo mbledhje është regjistruar dhe regjistrimi do të ruhet për kohën e nevojshme ligjore..
18.05.2026 - Mbledhje mes kryesisë së RSB dhe Presidentit të FSHR: Më datë 18 maj 2026 ora 17:00-18:00, u zhvillua një takim mes katër anëtarëve të kryesisë së RSB znj. Zhulieta Hoti, znj. Dhurata Hoti, znj. Zenepe Dedja e znjsh. Hejli Dedja (mungoi znj. Ruzhdie Ukaj) dhe Presidentit të FSHR z. Florian Gjonej në lidhje me një letër-kërkesë të kryesisë së RSB mbi
“disa mendime, diskutime dhe konkluzione për mbarëvajtjen e
kampionateve 2026 si dhe kërkesën për pjesëmarrje e kryesisë së RSB në mbledhjen e KE të FSHR" të dërguar më dt. 14.05.2026 ora 20:47 me nismën e tyre pas mbledhjes së KE së FSHR dt. 13.05.2026 dhe pas sqarimit të Presidentit të bërë po me dt. 14.05.2026 ora 12:32. Presidenti i FSHR gjatë takimit sqaroi në mënyrë të përsëritur, se KE-të janë organe të brendshme përkatëse të FSHR dhe të RSB, e si shoqata me organe të veta të pavarura, nuk ka asnjë lloj arsyeje praktike, funksionale, statutore apo ligjore që kryesia e RSB të marrë pjesë në mbledhjet e KE të FSHR. Gjatë takimit pati diskutime me vlerë mbi çështje organizative dhe bashkëpunimin ndërmjet strukturave. Fatkeqësisht, u shprehën edhe disa akuza e pretendime të paqarta dhe të përsëritura nga letra‑kërkesë dhe asnjëri nga anëtarët e pranishëm, edhe pas kërkesës së përsëritur të
Presidentit për të shpjeguar kuptimin e asaj fjalie akuzuese të
nënshkruar nga pesë anëtaret e kryesisë së RSB, nuk ishte në gjendje të
artikulonte asnjë fjalë apo ndonjë shpjegim dhe kryetarja e RSB znj. Zhulieta Hoti premtoi se do ta shpjegojnë me shkrim. Në mbyllje të mbledhjes, Presidenti i FSHR u kërkoi anëtarëve të pranishëm që çdo dyshim, akuzë, pretendim apo kërkesë të mëtejshme, ta paraqesin vetëm me shkrim, në mënyrë që të jepet përgjigje zyrtare po me shkrim, të vlefshme për çdo veprim tjetër institucional dhe ligjor.
Për arsye transparence, takimi është i regjistruar dhe regjistrimi do të ruhet për kohën e nevojshme ligjore.
13.05.2026 - Mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FSHR: Më datë 13 maj 2026 u zhvillua mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FSHR, sipas planifikimit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të klubeve: RSB znj. Zhulieta Hoti, RSE znj. Elvira Shërali, RSK z. Kujtim Çela, RKSH z. Andi Kola dhe Presidentit të FSHR z. Florian Gjonej. Në mbledhje munguan pa arsye: RSB znj. Zenepe Dedja, RSE z. Klevis Llapushi, RSK z. Afrim Boja, RKP z. Jorgo Gjoni dhe znj. Miranda Mehmeti, RKSH z. Salih Bushati dhe RST z. Fatmir Elezi e z. Damian Zanaj. Presidenti i FSHR informoi pjesëmarrësit për çështjen e NIPT-it dhe domosdoshmërinë e përditësimit të dokumentacionit ligjor e kontabël; Fondin GRANT për federatat jo‑olimpike, ku klubet u informuan mbi rezultatet e procedurave të aplikimit; raportimin mbi Ditën Botërore të Radioamatorizmit 2026; ecurinë e kursit të radioamatorizmit dhe provimit; njoftimet për kurset e reja që do të nisin në shtator; përshkrimin e radioamatorizmit në faqen kryesore; rëndësinë e dokumentimit të historikut dhe kontributeve të klubeve; si dhe kuotat e anëtarësimit, për të cilat kryetarët duhet të përfundojnë mbledhjet e tyre menjëherë. U diskutua gjithashtu Kampionati Kombëtar 2026, i cili, për shkak të çmimeve të larta gjatë sezonit turistik dhe pamundësisë së prenotimeve me numra të përafërt, mund të planifikohet të zhvillohet në fund të shtatorit ose fillim të tetorit - propozim që u mirëprit nga gjithë të pranishmit. Lidhur me Kampionatin Botëror të IARU, u ripërsëritën tarifat dhe kostot e pjesëmarrjes dhe Presidenti theksoi se pjesëmarrja varet nga fondet që do të sigurohen, por parimisht do të ftohen më të mirët e Kampionatit Kombëtar 2025 dhe ata që do të mund të mbulojnë shpenzimet vetë ku edhe OKAD ka njoftuar që nuk merr përsipër kostot e analizave antidoping dhe që pas zhvillimit të Kampionatit Kombëtar 2026 nuk ka kohë të mjaftueshme për prenotime të hotelit në Tunizi, nxjerrjen e vizave dhe shmangien e rritjes së çmimeve të biletave të avionit. Kryetarja e RSB, znj. Zhulieta Hoti, kundërshtoi në mënyrë të prerë këtë qasje, duke premtuar që të dërgojë menjëherë listat e pjesëmarrjes (të cilat i ka gati mbi tryezë), të bëjë prenotimet si garanci për pjesëmarrësit e RSB (të cilat në rast pjesëmarrjeje rimbursohen nga FSHR) dhe që Kampionati Kombëtar 2026 të zhvillohet brenda dy javëve të ardhshme, në mënyrë që në Botëror të ftohen vetëm më të mirët e Kampionatit Kombëtar 2026. Kryetarët e klubeve të tjera sportive nuk ishin dakord me zhvillimin e Kampionatit Kombëtar përpara Shtatorit ose Tetorit 2026. Për sa më sipër, diskutimi i mëtejshëm mbi këtë çështje, si dhe pikat e mbetura të mbledhjes - ide për një garë të brendshme kombëtare, roli aktual i Sekretarit të Përgjithshëm dhe planifikimet e mëtejshme organizative - do të vijojnë në mbledhjen e ardhshme të KE më datë 18.05.2026.
14.05.2026 - Avokati i FSHR konfirmoi që po përpunon dokumentacionin e përkthyer e të noterizuar në funksion të procedurave të mëtejshme ligjore ndaj MTKS në lidhje me shpërblimet e palëvruara të sportistëve që kanë arritur rezultate në Kampionatet Botërore 2022 dhe 2023 sipas ligjit për sportin në fuqi, si edhe dokumentacionin në lidhje me shpërblimet e sportistëve elitare për Kampionatet Kombëtare dhe Kupat e Shqipërisë për vitet 2023, 2024 dhe 2025 për bashkitë Elbasan dhe Krujë, të cilat nuk kanë dhënë asnjëherë përgjigje zyrtare pavarësisht detyrimeve ligjore në fuqi dhe kërkesave të përsëritura të Presidentit të FSHR z. Florian Gjonej.
12.05.2026 - Avokati i FSHR konfirmoi që po përpunon dokumentacionin e përkthyer e të noterizuar në funksion të procedurave të mëtejshme ligjore ndaj MTKS në lidhje me shpërblimet e palëvruara të sportistëve që kanë arritur rezultate në Kampionatet Botërore 2022 dhe 2023 sipas ligjit për sportin në fuqi, si edhe dokumentacionin në lidhje me shpërblimet e sportistëve elitare për Kampionatet Kombëtare dhe Kupat e Shqipërisë për vitet 2023, 2024 dhe 2025 për bashkitë Elbasan dhe Krujë, të cilat nuk kanë dhënë asnjëherë përgjigje zyrtare pavarësisht detyrimeve ligjore në fuqi dhe kërkesave të përsëritura të Presidentit të FSHR z. Florian Gjonej.
05.05.2026 - Janë njoftuar anëtarët e Kryesisë së FSHR dhe do i rikujtohet edhe 24 orë përpara, që mbledhja e radhës e KE mbahet më datë 13.05.2026 ora 17:30-19:00.
01.05.2026 - Kryetari i Jurisë së IARU‑t, z. Oliver Tabakovski (Z32TO) njofti FSHR për zhvillimin e Kampionatit të 22‑të Botëror në Telegrafi - Shpejtësi e Lartë (HST), që do të mbahet më 08-12 tetor 2026 në El Mouradi Palace, Port El Kantaoui, Sousse, Tunizi, Afrikë. Federata Shqiptare e Radioamatorizmit do të vijojë përpjekjet për sigurimin e fondeve për pjesëmarrjen e ekipit të plotë dhe mbulimin e analizave antidoping. Duke qenë se proceset institucionale ecin ngadalë, FSHR ka njoftuar anëtarët dhe komunitetin radioamator se mbështetja e tyre është thelbësore, përfshirë kontaktimin e individëve, kompanive dhe institucioneve që mund të kontribuojnë për pjesëmarrjen e ekipit shqiptar. Më shumë informacion për mbështetje: https://fshra.org/support.
29.04.2026 - OKAD njoftoi se planifikimi i testimeve vjetore varet nga buxheti i limituar dhe përfshin kryesisht federatat olimpike dhe sportistët në Grupin RTP. U sqarua se federatat mbulojnë financiarisht një pjesë të testimeve sipas VKM nr. 34, datë 21.01.2026, ndërsa testet shtesë jashtë Planit Kombëtar të Testimit paguhen nga vetë federatat. OKAD përcolli gjithashtu formularin e vendndodhjes së sportistëve gjatë garave të planifikuara për plotësim, që do ti dërgohet OKAD në vijim.
29.04.2026 - Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka lëvruar në llogarinë e FSHR‑së shumën prej 200,000 lekësh për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë 2026. Kjo shumë përfaqëson vetëm rreth 5% të vlerës së kërkuar nga FSHR për 8 projektet e dorëzuara në shkurt 2026 në kuadër të fondit GRANT të MTKS, duke e vendosur Federatën përballë vështirësive të jashtëzakonshme financiare për zhvillimin normal të aktiviteteve sportive në të gjitha nivelet.
27.04.2026 - FSHR i drejtoi OKAD‑it kërkesën e përsëritur për planifikimin dhe realizimin e testimeve antidoping për aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare të vitit 2026 (Kampionati Ballkanik, Evropian, Kombëtar dhe Botëror). Në kërkesë u rikujtua marrëveshja e bashkëpunimit e vitit 2023 dhe vështirësitë financiare të krijuara nga mosplanifikimi nga ana e OKAD i testimeve në vitet 2023-2025. Kërkesa iu përcoll për dijeni MTKS dhe KOKSH.
24.04.2026 - Sipas kërkesës së MTKS për informacion mbi eventet e planifikuara 2027-2029, FSHR dërgoi informacionin e plotë dhe të detajuar të projekteve dhe aktiviteteve të planifikuara së bashku me periudhat e realizimit, vlerat e parashikuara dhe impaktet e pritshme për zhvillimin e sportit teknik, edukativ dhe gjithëpërfshirës të Radioamatorizmit në Shqipëri, si dhe në përfaqësimin dinjitoz të vendit në arenën ndërkombëtare. Theks të veçantë ju vendos faktit që FSHR është kurdoherë e gatshme të ofrojë çdo informacion shtesë që mund të nevojitet për proçesin e planifikimit buxhetor dhe bashkëpunimin me MTKS.
23.04.2026 - FSHR përktheu dhe noterizoi dokumentacionin me IARU lidhur me Kampionatet Botërore 2022 dhe 2023, në funksion të padisë ndaj MTKS për shpërblimet e sportistëve që kanë arritur rezultate. Gjithashtu, i gjithë dokumentacioni për Kampionatet Botërore 2022 dhe 2023, si edhe për Kampionatet Kombëtare dhe Kupat e Shqipërisë për vitet 2023, 2024 dhe 2025, iu përcoll avokatit për procedurat ligjore në lidhje me shpërblimet e sportistëve elitare për bashkitë Elbasan dhe Krujë, të cilat nuk kanë dhënë përgjigje zyrtare pavarësisht kërkesave të përsëritura dhe detyrimeve ligjore në fuqi.
21.04.2026 - FSHR ka mbyllur të gjitha detyrimet aktuale ndaj të tretëve si KOKSH, Bashkia Tiranë, Posta Shqiptare, Ekonomistja për bilancin 2025, Banner dhe Poster informativë, përkthyeses së certifikuar duke i ekzekutuar likujdimet përkatëse përmes bankës.
20.04.2026 - Me rastin e Ditës Botërore të Radioamatorëve 2026, anëtarët e RadioSport Burrelit, RadioSport Elbasanit dhe RadioKlub Shkodrës zhvilluan veprimtari informuese dhe demonstrime të hapura për sportin e radioamatorizmit dhe komunikimet, me pjesëmarrjen e të rinjve dhe publikut të interesuar.
Federata Shqiptare e Radioamatorizmit ka njoftuar me shkrim Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për veprimtaritë e realizuara.
20.04.2026 - Presidenti i FSHR z. Florian Gjonej, përcolli indinjatën dhe keqardhjen e thellë të gjithë anëtarëve të Federatës mbi mbështetjen minimale të dhënë nga MTKS, sepse nga 8 projektet e paraqitura, fondi prej vetëm 200 000 lekë, i cili përbën vetëm 50 % të vlerës së nevojshme vetëm për njërin nga projektet “Organizimi i Kampionatit Kombëtar dhe Kupa e Shqipërise 2026” dhe gjithsejt vetëm 4% të shumës totale të nevojshme e të kërkuar, është jashtëzakonisht shumë minimal e vendos Federatën në vështirësi të konsiderueshme për zbatimin e objektivave të planifikuara!
16.04.2026 - Me rastin e Ditës Botërore të Radioamatorëve 2026, anëtarët e RadioSport Burreli (në shkollat e Burrelit dhe Klosit), RadioSport Elbasani (pranë Pallatit të Sportit) dhe RadioKlub Shkodra (në Pedonale), do të zhvillojnë veprimtari informuese dhe demonstrime të hapura për sportin e radioamatorizmit, komunikimet, teknikat dhe mundësitë që ky aktivitet u ofron të rinjve, pasionantëve të teknologjisë dhe publikut të interesuar, duke treguar se radioamatorizmi është një sport aktiv dhe i hapur për të gjithë - pa moshë, pa kufij dhe pa barriera!
12.04.2026 - Disa nga klubet sportive radioamatore do të organizojnë ditën e shtunë dt. 18 prill 2026 me rastin e "Dita Botërore e Radioamatorëve" aktivitete të ndryshme në komunitet dhe qytetet e tyre. Përgëzime kryetarëve dhe anëtarëve që angazhohen për organizimin e aktiviteteve të tilla.
08.04.2026 - Kryetari i RadioKlub Shkodra z. Andi Kola dorëzoi pranë Bashkisë Shkodër kërkesën për marrjen e lejës për organizimin e aktivitetit informues "Dita Botërore e Radioamatorëve 2026" pranë njërit nga sheshet kryesore në qytetin e Shkodrës.
06.04.2026 - Presidenti i FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G), u kërkoi kursantëve të kursit të përgatitjes për provimin e “Patentës së Operatorit Radioamator” që, përmes anketës online, të konfirmojnë periudhat e mundshme të përshtatshme për zhvillimin e provimit. Këto të dhëna do t’i paraqiten AKEP‑it, me qëllim që t’i kërkohet marrja në konsideratë e këtyre datave të propozuara nga kursantët.
01.04.2026 - Në mbledhjen e sotme të Kryesisë Ekzekutive të FSHR, të drejtuar nga Presidenti z. Florian Gjonej (ZA5G), morën pjesë anëtarët: z. Andi Kola, znj. Elvira Shërali, z. Jorgaq Gjoni, z. Kujtim Çela, z. Salih Bushati dhe znj. Zhulieta Hoti. Munguan pa arsye: z. Fatmir Elezi, z. Klevis Llapushi, znj. Miranda Mehmeti dhe znj. Zenepe Dedja. U komunikua gjithashtu që propozimi i znj. Elvira Sherali për të zëvendësuar z. Klevis Llapushi me znj. Anila Shati nuk mund të merret në konsideratë, sepse kjo e fundit ka ripërsëritur disa herë dorëheqjen e saj nga çdo funksion në Radio‑Sport Elbasani dhe në organet e FSHR‑së. Më vonë u njoftua përmes email nga z. Fatmir Elezi se anëtari tjetër përfaqësues i RST z. Fatos Demeti, për arsye shëndetësore, tërhiqet nga funksioni si anëtar i KE dhe në vend të tij propozoi z. Damjan Zanaj.
Një
nga pikat kryesore të mbledhjes, ishte organizimi i aktivitetit “Dita Botërore e
Radioamatorëve” që duhet të zhvillohet nga çdo klub pranë komunitetit me kërkesë/lejen e bashkive përkatëse - ftohen klubet sportive në organizimin e aktivitetit. Presidenti i FSHR z. Florian Gjonej i cili zhvillon dhe kursin e përgatitjes për provimin për Patentën e Operatorit Radioamator, raportoi që po ecet me ritëm dhe se kurse të reja do të hapen më 5 shtator 2026 për të mbështetur rritjen e
klubeve me anëtarë të rinj.
Kryesia pranoi propozimin e z. Kujtim Çela dhe vendosi që kuota vjetore e anëtarësimit të jetë 2000 lekë si dhe që të
rinjtë nën 18 vjeç lejohen të përjashtohen nga ajo.
Çështja e historikut të FSHR‑së u diskutua sërish, me
angazhimin se do fillohet mbledhja dhe sistemimi i të dhënave historike. Gjithashtu, u mor vendim që Kampionati
Kombëtar dhe Kupa e Shqipërisë në Telegrafi “Shpejtësi e Lartë” të
zhvillohen në gjysmën e parë të muajit shtator 2026, rreth 3-4 javë përpara zhvillimit të Kampionatit
Botëror. Së fundmi, për
shkak të mosfunksionimit të komisioneve të mëparshme, u caktua
komisioni i ri për bazën juridike dhe provimet e Trajnerëve dhe
Gjyqtarëve, me anëtarët: z. Andi Kola, znj. Elvira Shërali, z. Jorgaq
Gjoni, z. Kujtim Kruja dhe znj. Zhulieta Hoti ku z. Jorgaq Gjoni siguroi se përmes takimeve live do të ketë rezultate brenda një kohe të shkurtër.
31.03.2026 - Sekretari i Përgjithshëm i FSHR‑së, z. Edmond Budo, në bashkëpunim me Presidentin e FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G) si dhe eksperten kontabël znj. Rajmonda Reveli, përfunduan mbylljen e bilancit financiar të vitit 2025.
Bilanci u dorëzua pranë: Drejtorisë së Tatimeve dhe Taksave, Thesarit të Shtetit – Dega e Thesarit Tiranë, si dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
20.03.2026 - Thirrja speciale ZA25GIA, e aktivizuar nga Federata Shqiptare e Radioamatorizmit gjatë tri etapat e para të Giro d’Italia 2025 në Shqipëri, është shpallur fituese e vendit të parë nga URI – Bashkimi i Radioamatorëve Italianë në kategoritë: CW (Telegrafi) me 1816 QSO dhe DIGI (Digjitale) me 5292 QSO. Ky vlerësim ndërkombëtar përbën një sukses të rëndësishëm për radioamatorizmin shqiptar dhe promovimin e Shqipërisë në arenën globale të radiosportit. Urime operatorëve të ekipit ZA25GIA për këtë arritje të merituar.
19.03.2026 - Sekretari i Përgjithshëm i FSHR‑së, z. Edmond Budo, në bashkëpunim me Presidentin e FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G), janë aktualisht duke punuar për korrigjimin e disa ngërçeve institucionale, si dhe për përgatitjen e materialeve të nevojshme për mbylljen e bilancit të vitit 2025.
15.03.2026 - Presidenti i FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G), krijon dhe publikon online faqen publike paraprake të klubit sportiv radioamator “Radio‑Sport BURRELI”. Informacionet bazë janë siguruar nga Kryetarja e klubit, znj. Zhulieta Hoti, ndërsa përpunimi dhe pasurimi i mëtejshëm i faqes do të vijojë në vazhdim.
14.03.2026 - Vazhdon “Kursi i Radioamatorizmit – Përgatitje për Patentën e Operatorit Radioamator”, i cili zhvillohet nga Presidenti i FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G). Pjesëmarrja dhe angazhimi i kursantëve vlerësohen si të kënaqshme. Gjithashtu, parashikohet hapja e një kursi tjetër të ngjashëm në muajin shtator.
06.03.2026 - Specialistët e nderuar të MTKS informojnë personalisht Presidentin e FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G), se aplikimi me projektet e paraqitura nga FSHR konsiderohet i pranueshëm, është kualifikuar për fazën e vlerësimit dhe do të vijojë në përputhje me parashikimet e akteve ligjore përkatëse.
27.02.2026 - Në bazë të kërkesës së MTKS, Sekretari i Përgjithshëm i FSHR‑së, z. Edmond Budo, në bashkëpunim me Presidentin e FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G), autorizuan Bankën CREDINS për hapjen e një llogarie rrjedhëse bankare të posaçme, e dedikuar ekskluzivisht për administrimin e fondeve publike që do të vihen në dispozicion nga MTKS.
17.02.2026 - Federata Shqiptare e Radioamatorizmit (FSHR) dorëzoi sot pranë protokollit të MTKS dokumentacionin për tetë (8) projekte gjithëpërfshirëse, me një volum prej 129 faqesh, në kuadër të Thirrjes për Projekt‑Propozime në Fushën e Sportit për Federatat Jo‑Olimpike për Vitin 2026. Projektet e paraqitura janë:
1- Promovimi afatgjatë i sportit të radioamatorizmit në Shqipëri;
2- Kampionati Kombëtar dhe Kupa e Shqipërisë;
3- Kampionati i 22‑të Botëror;
4- Dita Botërore e Radioamatorëve – 18 prill 2026;
5- Aftësimi në disiplinat e komunikimit me ARISS, ARSC LEOs dhe QO‑100;
6- Aktivitete në disiplinat sportive SOTA, POTA dhe COTA;
7- Aktivitete në disiplinat sportive IOTA/LLW, JOTA dhe YOTA;
8- Kurset e Radioamatorizmit – Aftësim Teknik dhe Sportiv për Sportistët e Rinj dhe Komunitetin.
24.01.2026 - Filloi sot “Kursi i Radioamatorizmit – Përgatitje për Patentën e Operatorit Radioamator”, i pari i këtij lloji që pas vitit 1991, i ideuar dhe i zhvilluar nga Presidenti i FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G). Në kurs janë regjistruar 42 persona, ndërsa në seancën e parë morën pjesë 23 pjesëmarrës.
16.01.2026 - Përmes takimeve të zhvilluara dhe falë përpjekjeve të z. Andi Kola (ZA5D), shpërndahet, përmes ZVA Shkodër, njoftimi për organizimin e “Kursit të Radioamatorizmit – Përgatitje për Patentën e Operatorit Radioamator”.
07.01.2026 - Vazhdojnë përpjekjet për kontakt dhe bashkëpunim me shkollat në rrethe si dhe ZVA‑të, me qëllim mbështetjen e Klubeve Anëtare të FSHR‑së dhe krijimin e mundësive për përfshirjen e brezit të ri në sportin e radioamatorizmit, sigurisht fillimisht në kurset e radioamatorizmit, e më pas angazhimi në të gjitha aktivitetet gjatë vitit.
03.01.2026 - Është ridërguar sot ftesa "Kursi i Radioamatorizmit - Përgatitje për Patentën e Operatorit Radioamator" të gjithë personave të cilët janë regjistruar nga faqja https://fshra.org kurse ose direkt në faqen https://fshra.org/register. Në vazhdim do u dërgohet të gjithë personave që do të regjistrohen.
29.12.2025 - Sipas vendimit të mbledhjes së fundit të Kryesisë së FSHR‑së, anëtarët të cilët, pa asnjë arsye të justifikuar, nuk janë paraqitur dhe nuk kanë marrë pjesë në mbledhjet e kryesisë, janë larguar nga grupi WhatsApp.
28.12.2025 - Është dërguar sot ftesa "Kursi i Radioamatorizmit - Përgatitje për Patentën e Operatorit Radioamator" të gjithë personave të cilët janë regjistruar nga faqja https://fshra.org*kurse ose direkt në faqen https://fshra.org/register.
24.12.2025 - Presidenti i Federata Shqiptare e Radioamatorizmit z. Florian Gjonej (ZA5G) ka përcjellë urimet më të mira për shëndet, paqe dhe mbarësi për të gjithë komunitetin radioamator. Në mesazhin e tij, Presidenti Gjonej uroi që këto ditë festash të sjellin gëzim dhe harmoni në familjet e çdo radioamatori, pavarësisht traditave fetare që secili ndjek. Ai falënderoi anëtarët e FSHR‑së për bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar gjatë vitit 2025, duke theksuar se ky angazhim ka qenë thelbësor për zhvillimin e aktivitetit radioamator në vend. Gjithashtu, Presidenti shprehu besimin se viti 2026, së bashku me kurset e radioamatorizmit që pritet të zhvillohen nga janari 2026, do të sjellë më shumë zhvillim, bashkëpunim dhe arritje për radioamatorizmin shqiptar.
16.12.2025 - Presidenti i FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G), përpilon dhe i përcjell pranë MTKS raportin teknik‑financiar të detajuar për vitin 2025.
15.12.2025 - Federata Shqiptare e Radioamatorizmit, e përfaqësuar këtë vit nga z. Andi Kola (ZA5D) (në vend të Presidentit të FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G)), merr pjesë në Mbrëmjen GALA “Topi i Artë 2025”, të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
04.12.2025 - Sipas vendimeve të mbledhjes së fundit të Kryesisë së FSHR‑së, Presidenti i FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G), njofton të gjithë anëtarët e kryesisë, të gjithë anëtarët e shoqatës dhe të gjithë ndjekësit në Facebook për organizimin e kurseve të radioamatorizmit për përgatitjen e “Patentës së Operatorit Radioamator” dhe “Provimit të Telegrafisë”, të cilat do të nisin nga mesi i janarit 2026.
12.11.2025 - Ish‑Sekretari i Përgjithshëm i FSHR‑së, z. Fatos Demeti (ZA1F), fatkeqësisht i ndikuar dhe ndoshta i shtyrë nga persona me qëllime të ulëta, i ka dërguar një letër me disa faqe, e cila përmban interpretime të pavërteta në adresë të Presidentit të FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G), të gjithë anëtarëve të kryesisë.
Në mbledhjen e radhës së kryesisë u diskutua kjo çështje dhe me kërkesën e shumicës së anëtarëve, duke marrë parasysh se z. Fatos Demeti (ZA1F) ndodhet në një gjendje shumë të rënduar shëndetësore, u vlerësua se një përgjigje publike mund të krijonte premisa për lëndim të mëtejshëm. Për këtë arsye, me respekt iu kërkua Presidentit të FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G), që të mos i përgjigjet letrës dhe të mos e shpërndajë atë tek anëtarët e kryesisë, tek radioamatorët dhe në publik, si dhe të mos bëjë publike faktet që lidhen me personin në fjalë z. Fatos Demeti dhe me individët AK, DD dhe FE që e kanë manipuluar atë.
11.11.2025 - Sipas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv (KE) të zhvilluar sot, ngarkohet z. Jorgaq Gjoni me monitorimin e vazhdueshëm të njoftimeve të MTKS në lidhje me fondin GRANT. Gjithashtu, miratohen tetë (8) projektet e FSHR‑së për vitin 2026, të ideuara dhe prezantuara nga Presidenti i FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G), për t’u paraqitur pranë MTKS në kuadër të thirrjes për projekt‑propozime në fushën e sportit për vitin 2026.
10.11.2025 - Presidenti i FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G), përpilon relacionet narrative të aktiviteteve kryesore të vitit 2025, përfshirë Kampionatin Kombëtar, Kupën e Shqipërisë, si dhe Kampionatin Botëror në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë”, dhe i përcjell ato pranë MTKS dhe KOKSH.
15-19.10.2025 - Ekipi Kombëtar i Shqipërisë në Radioamatorizëm mori pjesë në Kampionatin Botëror të 21‑të IARU HSTWC 2025, duke arritur rezultate të kënaqshme. Shpresohet që në të ardhmen sportistët radioamatorë të zhvillojnë përgatitje të plota dhe të vazhdueshme stërvitore, me synimin për të ulur sa më shumë emocionet dhe për të arritur rezultate edhe më të mira në kampionatet e ardhshme.
Mbështetja financiare për pjesëmarrjen u sigurua pjesërisht nga donacionet e Deltarex Sh.P.K., Mark Clark (W4CK), Ben Windey (ON6BW), znj. Zhulieta Hoti, z. Kujtim Çela (ZA4KC) dhe nga presidenti i FSHR‑së, z. Florian Gjonej (ZA5G)
14.10.2025 - Ekipi Kombëtar përfaqësues i Shqipërisë në sportin e radioamatorizmit në Kampionatin e 21‑të Botëror të IARU High Speed Telegraphy, tashmë përbëhet nga katër pjesëmarrës: Glauk Gjini dhe Desara Dani, të dy anëtarë të Radio‑Sport Burreli; znj. Zhulieta Hoti, kryetare dhe trajnere e ekipit të Radio‑Sport Burreli; si dhe z. Kujtim Çela, ZA4KC, kryetar i Radio‑Sport Kruja dhe Kampion i Shqipërisë. Ata do të konkurrojnë në katër kategori sipas moshave në të gjitha garat dhe do të shoqërohen nga Presidenti i FSHR‑së, z. Florian Gjonej, ZA5G. Transporti për grumbullimin e anëtarëve u organizua sot nga z. Andi Kola, ZA5D, kryetar i RadioKlub Shkodra.
Urojmë anëtarëve të ekipit suksese!
13.10.2025 - Pas dy javësh përpjekjesh dhe pune të madhe organizative për parapërgatitjet e pjesëmarrjes në Kampionatin e 21‑të Botëror të IARU High Speed Telegraphy, që do të zhvillohet më 15-19 tetor në Igalo, Herceg Novi, Mal i Zi, me keqardhje njoftojmë që katër nga sportistët e planifikuar dhe të regjistruar për gara u tërhoqën nga pjesëmarrja për arsye të ndryshme organizative personale. Falënderojmë Presidentin e KOKSH, z. Fidel Ylli, për bluzat e dhuruara për ekipin, si dhe veçanërisht kompaninë Deltarex Sh.P.K., që mbështeti ekipin kombëtar duke dhuruar 50,000 Lekë (afërsisht 510 €) për përfaqësimin në Kampionatin Botëror.
30.09.2025 - Në mbledhjen e Kryesisë së FSHR, Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej, theksoi ndër të tjera se, për shkak të mungesës së fondeve nga MAS dhe KOKSH në lidhje me mbështetjen financiare për Kampionatin e 21-të Botëror të IARU High Speed Telegraphy, që do të zhvillohet më 15–19 tetor në Mal të Zi, pjesëmarrja ka kosto relativisht të larta. Ai propozoi që ato pak fonde të arkës të përdoren për aktivitetet e ardhshme: Contestet Botërore në SSB në fund të muajit tetor dhe në CW në fund të muajit nëntor, për Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme në dhjetor 2025, si dhe për Ditën Botërore të Radioamatorëve në prill 2026. Ky propozim nuk u mirëprit nga anëtarët pjesëmarrës, znj. Elvira Shërali, z. Jorgo Gjoni dhe z. Kujtim Çela. Propozimi tjetër ishte që FSHR të marrë përsipër kostot e të rinjve pjesëmarrës nga kategoritë A, B dhe C, ndërsa shuma e mbetur të përdoret për likuidimin e pjesshëm të shpenzimeve të pjesëmarrjes, sigurimeve shëndetësore, transportit etj. Të gjithë pjesëmarrësit garues dhe shoqëruesit do të mbulonin pjesërisht shpenzimet e tjera personale. Ky propozim u mirëprit nga shumica e anëtarëve pjesëmarrës.
Në vijim të mbledhjes, z. Andi Kola (ZA5D) propozoi krijimin e një crowdfunding-u për mbledhjen e fondeve për Kampionatin Botëror, i cili u hap menjëherë online në https://gofund.me/f4ebdff6d - ju lutem shperndajeni atë në të gjitha mediat tuaja sociale e bëjini share!
30.09.2025 - Presidenti i KOKSH, z. Fidel Ylli, bëri të ditur se, për shkak të mungesës së fondeve dhe vështirësive financiare brenda institucionit, KOKSH nuk mund të mbështesë financiarisht përfaqësimin e Shqipërisë në Kampionatin e 21-të Botëror të IARU High Speed Telegraphy, që do të zhvillohet më 15–19 tetor në Mal të Zi.
24.09.2025 - Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), zhvilloi një takim të shkurtër pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe dorëzoi sërish një kërkesë për mbështetje financiare për përfaqësimin e Shqipërisë në Kampionatin e 21-të Botëror të IARU High Speed Telegraphy, që do të zhvillohet më 15–19 tetor në Mal të Zi. Gjatë takimit, Presidenti i KOKSH, z. Fidel Ylli, theksoi se FSHR duhet të përfaqësohet patjetër, të paktën me një ekip të reduktuar.
18.09.2025 - Ministria e Arsimit dhe Sportit, iu përgjigj kërkesës së përsëritur të presidentit të FSHR-së, duke sqaruar se projektet për fondin GRANT, për mbështetjen e pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror, paraqiten në muajin janar. Pas ballafaqimit me faktin se, në janar, në protokollin e MAS ishin dorëzuar tetë projekte - ndër të cilat edhe kërkesa për mbështetje të përfaqësimit të Shqipërisë në Kampionatin Botëror - përgjigjja e MAS ishte se tashmë nuk kishte më fonde të tjera në dispozicion.
13-14.09.2025 - Me mbështetjen financiare shumë modeste të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, nga fondi GRANT, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit organizoi në Burrel Kampionatin e 8-të Kombëtar të Radioamatorizmit dhe Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë” për vitin 2025. Pas fjalës hapëse të Presidentit të FSHR z. Florian Gjonej, mori fjalën znj. Anila Shati e cila deklaroi përsëri që ka hequr dorë nga çdo funksioni në Radio-Sport Elbasani e gjithashtu nga funksioni i saj si anëtare e KE, por që do vazhdojë të jetë radioamatore e thjeshtë e të ndihmojë komunitetin me mundësitë e saj. Pyetjes së saj që pse në kampionat marrin pjesë nxënës që nuk kanë shenjë thirrjeje, Presidenti i FSHR ju përgjigj se në bazë të pikës B2.2 dhe B2.12 pjesëmarrja e tyre është legjitime.
Titullin Kampione e Vendit për Femra e fitoi znj. Mimoza Balliu (ZA1MB), e ekipit “Radio-Sport Elbasani”, ndërsa titullin Kampion i Vendit për Meshkuj e mori z. Kujtim Çela (ZA4KC), i ekipit “Radio-Sport Kruja”. Garat individuale u zhvilluan në pesë kategori, me pjesëmarrjen e 18 sportistëve radioamatorë. Kupa e Shqipërisë, me disa sportistë të rinj në përbërje, u fitua nga ekipi “Radio-Sport Burreli”.
12.09.2025 - U zhvillua një takim pune i frytshëm mes FSHR-së, të përfaqësuar nga presidenti z. Florian Gjonej (ZA5G) dhe trajneri i Ekipit Kombëtar, z. Fatos Demeti (ZA1F), klubit sportiv radioamator “Radio-Sport Burreli”, të përfaqësuar nga kryetarja znj. Zhulieta Hoti, si dhe Bashkisë Burrel, të përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm z. Elson Reçi, lidhur me pranimin e “Radio-Sport Burreli” në Klubin Shumësportesh të Bashkisë Burrel. Një takim i veçantë u zhvillua gjithashtu edhe me Drejtorin e Sporteve në Bashkinë Burrel z. Armando Koci.
01.09.2025 - Për të tretin vit radhazi, Organizata Kombëtare Antidoping (OKAD) ka kthyer përgjigje negative, duke theksuar se veprimtaritë e FSHR-së nuk janë të planifikuara nga OKAD dhe se OKAD nuk është përgjegjëse për kryerjen e analizave antidoping të sportistëve radioamatorë gjatë veprimtarive ndërkombëtare jashtë vendit.
Me këtë rast, presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), i ka kërkuar OKAD-it të marrë masat e nevojshme për vitin 2026.
18.08.2025 - Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), lëshoi urdhër-vendimet për preventivat e shpenzimeve dhe likuidimet për Kampionatin e 8-të Kombëtar dhe Kupën e Shqipërisë HST-2025, të cilët ju dorëzuan Thesarit të Shtetit, për lëvrimin e fondeve GRANT të destinuara për mbulimin e shpenzimeve.
Gjithashtu, ai njoftoi Organizatën Kombëtare Antidoping (OKAD) në lidhje me zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kampionatit Botëror, duke i dërguar edhe listën emërore të sportistëve radiatorë pjesëmarrës konkurrues.
13.08.2025 - Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), i dërgoi IARU-së letrën e pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror IARU HSTWC-2025 dhe iu drejtua Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) me një kërkesë për mbështetje financiare për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë kampionat që zhvillohet 15-19 tetor në Mal të Zi.
09.08.2024 - FSHR njoftoi sportistët radioamatorë të të gjitha klubeve sportive të radioamatorizmit për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”, që do të mbahen më 13-14 shtator 2025 në qytetin e Burrelit.
17.07.2025 - Pas disa kërkesave të përsëritura, kryetari i “Radio-Sport Tirana” dorëzoi pajisjet e marra në përdorim për zhvillimin e klasës së radioamatorizmit, e cila është mbyllur prej më shumë se dhjetë muajsh. Dorëzimi u krye në përputhje me procedurat e përcaktuara nga FSHR-ja me proçesverbal.
16.06.2025 - Radioamatori amerikan Mark Clarkm W4CK pas disa ditë qëndrimi në Shqipëri dhe falë mbështetjes së anëtarëve të Radio-Sport Tirana, doli në eter me shenjën e thirrjes ZA/W4CK, drejtpërdrejt nga hoteli në Tiranë. Në shenjë mirënjohjeje dhe për të mbështetur aktivitetet e radioamatorëve shqiptarë, ai i dhuroi FSHR-së shumën prej 1 850 € (neto 1 749,93 €, pasi transferta kishte një kosto prej 100,07 €).
09-31.05.2025 - Federata Shqiptare e Radioamatorizmit organizoi, për pothuajse katër javë, transmetimin në eter të “Giro d’Italia in Albania”, për herë të parë me tri etapat e para të zhvilluara në Shqipëri, si stacion radioamator “Jolly” me shenjë thirrjeje ZA25GIA. Në këtë aktivitet morën pjesë sportistët radioamatorë z. Florian Gjonej (ZA5G), z. Fatos Demeti (ZA1F), znj. Elvira Shërali (ZA1EM) dhe znj. Anila Shati (ZA1AK), të renditur më sipër sipas numrit të QSO-ve të realizuara. Së bashku, ata arritën të zënë vendin e parë në renditjen e përgjithshme në disiplinat Digi dhe CW.
05.05.2025 - Presidenti i FSHR z. Florian Gjonej lëshon vendimet për kërkesën shenjë thirrjeje speciale ZA25GIA, orientimin proçesverbal-dorëzimi pajisjeve nga kryetari i RST-së si dhe kërkesën Gjykata Rrethit Tiranë për ndryshimet në Organet Drejtuese të FSHR.
08.04.2025 - Pas një periudhe të gjatë konsultimesh aktive në klubet sportive të radioamatorëve dhe në zbatim të vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, të mbajtur më 19.03.2024, kryetarët e klubeve paraqitën emrat e anëtarëve përfaqësues në Komitetin Ekzekutiv. Shprehet besimi që këta përfaqësues, këtë herë, do të punojnë në interes të të gjithë radioamatorëve dhe për të ardhmen e radioamatorizmit në Shqipëri, duke vepruar me drejtësi, saktësi, angazhim dhe objektivitet maksimal.
07.04.2025 - Ministria e Arsimit dhe Sportit ka lëvruar, në llogari të FSHR-së pranë Thesarit të Shtetit, shumën prej 200 000 lekësh për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë. Kjo shumë përbën vetëm rreth 4% të vlerës së kërkuar nga FSHR për 8 projektet e dorëzuara në janar 2025, në kuadër të fondit GRANT të MAS.
03.04.2025 - Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej, ka lëshuar urdhër-vendime që përfshijnë: likuidimin e pagesës së kuotizacioneve të KOKSH-it, pagesën e ekspertes kontabël për bilancin e vitit 2024, shlyerjen e taksave ndaj Bashkia Tiranë, lëshimin e formularit të akreditimit e propozimet për Asamblenë Zgjedhore të 31-të të KOKSH-it. Gjithashtu, është përsëritur kërkesa për dorëzimin e pajisjeve të dhëna për klasën e mbyllur prej shtatë muajsh nga RST-ja, si dhe është marrë vendimi për anëtarët e KE.
27.03.2025 - Pas një pune të vazhdueshme dhe këmbëngulëse, Sekretari i Përgjithshëm i FSHR-së, z. Edmond Budo (ZA1U), në bashkëpunim me eksperten kontabël, përpiluan dhe mbyllën në afat bilancin për vitin tatimor 2024.
19.03.2025 - Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHR-së, si pas vendimit të mëparshëm të shumicës së anëtarëve, u mblodh online, në platformën MS Teams. Në zbatim të Nenit 20, pika 1, të Statutit të FSHR-së, dhe me votimin e shumicës së thjeshtë të delegatëve, u vendos që Komiteti Ekzekutiv të përfaqësohet nga dy (2) anëtarë përfaqësues për secilin klub sportiv radioamator. Po ashtu, u ngarkuan kryetarët e klubeve sportive të paraqesin emrat e anëtarëve përfaqësues në KE.
13.03.2025 - Për shkak se grupi i punës për përpilimin e projekt-rregullores, bazuar në rregulloren e përdorur para viteve ’90, nuk e ka nisur ende punën, pavarësisht kërkesave të përsëritura për informacion mbi ecurinë, dhe ka kërkuar një afat shtesë prej tre muajsh, si dhe për shkak se kryetarët e klubeve sportive nuk janë ende të gatshëm për veprimtari, u vendos shtyrja e zhvillimit të Kampionatit të 8-të Kombëtar për datat 21–22 qershor 2025, me datë rezervë 26 korrik 2025.
12.03.2025 - Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), u është drejtuar me shkrim të gjithë kryetarëve të klubeve sportive radioamatorë anëtare të FSHR-së, duke kërkuar përgatitje dhe marrjen e masave për organizimin e veprimtarive lokale me rastin e Ditës Botërore të Radioamatorizmit, më 18 prill 2025, si dhe për 100-vjetorin e krijimit të Unionit Ndërkombëtar të Radioamatorëve (IARU).
06.03.2025 - Në bazë të Nenit 17, pika 3, të Statutit të FSHR-së, disa anëtarë kanë kërkuar përfshirjen në rendin e ditës të diskutimit mbi problematikën e krijuar nga mosmarrëveshjet lidhur me zbatimin e saktë të rregullores së Kampionateve Kombëtare dhe Kupës së Shqipërisë në disiplinën “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë”, si dhe mbi pengesat e krijuara në punën e KE nga individë të paaftë. Duke marrë në konsideratë se aktualisht mbi 50% e përbërjes së KE-së janë anëtarë të të njëjtit klub sportiv radioamator Radio-Sport Elbasani, e që mund të jenë të ndikuar nga individë me qëllime personale apo të kenë konflikte interesi dhe/ose të jenë nën presione të ndryshme, është propozuar që në të ardhmen KE-ja të përfaqësohet në mënyrë të barabartë dhe të drejtë nga një (ose dy) anëtarë për secilin klub sportiv radioamator.
Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), përgëzoi të gjitha veprimtaritë që inkurajojnë dhe ndihmojnë në zhvillimin e brezave të rinj dhe të sportit të radioamatorizmit në tërësi, por dënoi veprimet e tilla të ndërmarra për arsye personale dhe interesa të ngushta, sepse këto gjëra kanë ndodhur 30-të vitet e fundit rregullisht, të cilat sipas tij, nuk sjellin asnjë të mirë për sportin e radioamatorizmit në Shqipëri dhe në Kosovë, por vetëm e dëmtojnë dhe e pengojnë zhvillimin e tij dhe afrimin e të rinjve!
20.02.2025 - Pas shumë kërkesave të përsëritura gjatë dy viteve të fundit, kjo datë u përcaktua si afati i fundit për kryetarët e klubeve sportive radioamatorë për mbledhjen e kuotave simbolike të anëtarësimit të prapambetura nga vitet 2023 dhe 2024, si dhe të kuotave për vitin 2025 për sportistët radioamatorë që kërkojnë të federohen.
Gjithashtu, dy anëtarë shprehën pretendimin se rregullorja e Kampionatit Kombëtar në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë” e miraturar në korrik 2023 dhe ajo e IARU-së ishin të pavlefshme dhe duhej të zëvendësoheshin. Ata u ngarkuan të hartonin një projekt-rregullore, siç dëshironin bazuar në modelet para ndryshimeve politike në Shqipëri, kur një sportisti radioamator i nevojiteshin të paktën dhjetë vite pjesëmarrje për të arritur kualifikimin në kampionat. Projekti do të shqyrtohet në një mbledhje të ardhshme.
31.01.2025 - Në bazë të thirrjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për projekte në fushën e sportit, për fondin GRANT për federatat jo-olimpike, FSHR dorëzoi pranë protokollit të MAS, me nr. prot. 1334, formularin e aplikimit me 8 projekte gjithëpërfshirëse, të dedikuara për të gjitha grupmoshat dhe për të gjitha fushat e disiplinat kryesore të sportit të radioamatorizmit, si për vitin 2025 ashtu edhe në kuadër të një plani afatgjatë për klubet sportive të radioamatorëve në rrethe.
21.01.2025 - Pretendimet e disa anëtarëve se mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FSHR-së duhet të zhvillohet patjetër “ballë për ballë” ose “sy për sy”, me arsyetimin se në format online nuk arrijnë të formulojnë pyetje, kërkesa apo propozime, u vlerësuan si të pabazuara për një sërë arsyesh. Mbledhja e radhës u zhvillua sot online, në platformën MS Teams. Vlen të theksohet, se këtyre individëve do t’u krijohet patjetër mundësia për një takim fizik dhe vetëm pasi secili prej tyre të paraqesë një agjendë të qartë dhe të strukturuar të çështjeve që dëshiron të diskutojë.
26.12.2024 - Federata Shqiptare e Radioamatorizmit i ka dërguar me shkrim kërkesat zyrtare klubeve “Radio-Sport Elbasani” dhe “Radio-Sport Burreli” për dorëzimin/kthimin e kupave të shpërndara më 06.10.2024 gjatë Kupës së Shqipërisë HST, pasi rezultatet e renditjes ekipore të asaj date janë shpallur të pavlefshme. Rezultatet e rishikuara, sipas rregullores, janë shpallur menjëherë pas mbledhjes më 17.10.2024 së kryetarëve të klubeve sportive radioamatorë më 18.10.2024. Meqë deri më tani kërkesat nuk janë marrë parasysh nga kryetarët e klubeve, ato do të përsëriten.
24.12.2024 - Procesi i votimit për përcaktimin e datës, vendit dhe mënyrës së zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme 2024 është mbyllur, pasi morën pjesë 30 votues. Me 21 vota “pro” dhe 2 vota “ndoshta”, u vendos shtyrja e Asamblesë për një periudhë më të përshtatshme, si dhe zhvillimi i saj në formatin online.
17.12.2024 - Meqë udhëtimi drejt Tiranës, përfshirë rrugën e kthimit dhe shpenzimet totale për pjesëmarrjen e sportistëve radioamatorë të “Radio-Sport Burreli” dhe “Radio-Sport Elbasani”, janë të papërballueshme nga vetë klubet sportive e nuk mund të mbulohen as nga FSHR-ja për shkak të mungesës së plotë të fondeve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, u vendos që votimi për përcaktimin e datës, vendit dhe mënyrës së zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme 2024 të mbahet online.
12.12,2024 - Pas disa vështirësive të hasura në gjetjen e sallës për zhvillimin e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme 2024, njoftohen të gjithë radioamatorët se ajo do të mbahet më 27 dhjetor 2024, nga ora 15:45 deri në 17:15, në Tiranë.
04.11.2024 - FSHR ka nisur kërkimin për salla konferences të përshtatshme për zhvillimin e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme 2024.
18.10.2024 - Bazuar në mbledhjen e datës 17.10.2024 me kryetarët e klubeve sportive radioamatorë, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit shpalli të pavlefshme rezultatet ekipore të Kupës së Shqipërisë, zhvilluar më 06.10.2024. Përllogaritja e re e rezultateve ekipore u krye duke iu përmbajtur në mënyrë rigoroze pikës B2.13 të rregullores për Kampionatet e HST-së. Me keqardhje, FSHR njoftoi me shkrim “Radio-Sport Elbasani” dhe “Radio-Sport Burreli” për dorëzimin e kupave të dhëna më 06.10.2024. Sipas renditjes ekipore të rillogaritur sipas rregullores, “Radio-Sport Burreli” kalon në vendin e parë duke fituar “Kupën e Shqipërisë 2024 në Telegrafi – Shpejtësi e Lartë”, ndërsa “Radio-Sport Elbasani” renditet në vendin e dytë.
17.10.2024 - Mosparaqitja e disa sportistëve radioamatorë gjatë Kampionatit Kombëtar në Burrel shkaktoi keqkuptime në lidhje me rregulloren e pjesëmarrjes në kategoritë përkatëse, duke sjellë pasoja si presione individuale, mosmarrëveshje dhe kontestime të rezultateve ekipore.
Pak ditë më vonë, gjatë Kampionatit Botëror, presidenti i FSHR-së diskutoi këtë problematikë me përfaqësuesit më të lartë të IARU-së, të cilët dhanë një përgjigje të qartë: lëvizjet e sportistëve midis kategorive shkaktojnë ndryshime në alokime dhe, për pasojë, kërkojnë domosdoshmërisht përllogaritje të reja për renditjen ekipore.
Për këto arsye, më 17.10.2024 u zhvillua një mbledhje me pjesëmarrjen e presidentit të FSHR-së, z. Florian Gjonej, dhe kryetarëve të klubeve pjesëmarrëse në kampionat: znj. Hoti (“Radio-Sport Burreli”), znj. Shërali (“Radio-Sport Elbasani”), z. Çela (“Radio-Sport Kruja”), z. Gjoni (“RadioKlub Partizani”) dhe z. Elezi (Shoqata Kombëtare e Radioamatorëve Shqiptarë). Qëllimi ishte shqyrtimi dhe sqarimi i rregullores, në veçanti i pikës B2.13, lidhur me kategorizimin e sportistëve gjatë Kampionatit Kombëtar.
Pas sqarimit të detajuar të pikës B2.13, të gjithë kryetarët e klubeve vendosën unanimisht që, pavarësisht plotësimit fillestar të kategorive me të paktën tre konkurrentë, për shkak të mosparaqitjes së shtatë sportistëve, përllogaritja e pikëve për Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë” duhet të bëhet veçmas, duke zbatuar rregulloren dhe për renditjen ekipore duke alokuar konkurrentët në kategoritë e tyre origjinale sipas moshës.
Në ditët në vijim, me ndihmën e IARU-së, FSHR-ja do të përllogarisë përsëri rezultatet e Kampionatit të 7-të Kombëtar dhe të Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë” dhe, në rast ndryshimesh të renditjes ekipore, do të shpallë të pavlefshme rezultatet e datës 06.10.2024, duke komunikuar rezultatet e korrigjuara brenda dy javësh.
16.10.2024 - Për shkak të mungesës së plotë të mbështetjes financiare nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) për vitin kalendarik 2024, presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej, me shpenzime personale, ka blerë më 24 shtator 2024 me faturat përkatëse kufje, tasto CW paddle, amplifikatorë dhe një switch zëri stereo. Këto pajisje dhe materiale pune e mësimi, që janë pronë e presidentit të FSHR-së derisa FSHR të ketë mundësi për ti likujduar, iu dorëzuan kryetarit të SHKRSH/“Radio-Sport Tirana”, z. Fatmir Elezi (ZA1RR), për përdorim në klasën e re të radioamatorizmit pranë Sheshit “Wilson” në Tiranë - sot për sot, e vetmja e këtij lloji e ngritur pas ndryshimeve politike në Shqipëri, e realizuar me shpenzime personale nga vetë drejtuesi i saj, për stërvitjen e sportistëve radioamatorë. FSHR i uron suksese në këtë nismë dhe fton të gjithë të interesuarit për sportin e radioamatorizmit të kontaktojnë përmes emailit, telefonit ose drejtpërdrejt në .
09-13.10.2024 - Ekipi Kombëtar i Shqipërisë, përfaqësues i FSHR-së, mori pjesë në Kampionatin Botëror të 20-të IARU HSTWC 2024, duke arritur rezultate të kënaqshme. Shpresohet që në të ardhmen sportistët radioamatorë të zhvillojnë përgatitje stërvitore të plota dhe të vazhdueshme, me synimin për të arritur rezultate edhe më të mira në kampionatet e ardhshme. Mbështetja financiare për pjesëmarrjen u sigurua nga “Radio-Sport Elbasani”, nga presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), si dhe nga anëtari i “RadioKlub Shkodra”, z. Helidon Gjonej (ZA5H)
09.10.2024 - Ekipi Kombëtar i Shqipërisë, përfaqësues i FSHR-së, pas një udhëtimi me shumë peripeci dhe transfertash të vështira e të lodhshme, nga aeroporti i mbërritjes në Paris drejt një aeroporti tjetër në të njëjtin qytet, por 120 km larg në jug të Parisit, si dhe pas ndalimeve nga autoritetet kufitare në aeroporte, arriti më në fund të zbarkojë në Tunis, Tunizi dhe të marrë vizat tuniziane. Mbërritja në Hammamet, vendi ku zhvillohet Kampionati Botëror i 20-të IARU HSTWC 2024, u realizua pas mesnate, pas rreth 20 orësh shumë të lodhshme fluturimesh, peripecish dhe udhëtimesh.
09.10.2024 - Presidenti i KOKSH-it, z. Fidel Ylli, i dhuroi presidentit të FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), për Ekipin Kombëtar të Shqipërisë, bluzat me logon e “Team Albania” dhe logon e FSHR-së të stampuara. Pavarësisht vonesave të mëdha të shkaktuara nga konfirmimi i vonuar i Ambasadës Tuniziane për vizat, u arrit të siguroheshin biletat e avionit me transfertë përmes dy aeroporteve franceze në Paris — një itinerar që përbën vetë një sfidë të vështirë dhe stresuese, për shkak të nevojës për të kaluar në kohë nga aeroporti i mbërritjes nga Tirana në aeroportin tjetër të nisjes për në Tunizi, i cili ndodhet rreth 120 km larg.
07.10.2024 - Pas shumë komunikimesh me njësi të ndryshme diplomatike, dy ditë para fillimit të Kampionatit Botëror të 20-të IARU HSTWC 2024, Ambasada Tuniziane në Athinë (Greqi) dhe Ambasada Tuniziane në Vjenë (Austri) konfirmuan se sportistët radioamatorë do të pajisen me vizat tuniziane menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Tunisit, Tunizi. Megjithëse shumë vonë për gjithçka, le të shpresojmë akoma për më të mirën!
05-06.10.2024 - Me mbështetjen financiare të pesë anëtarëve të “Radio-Sport Burreli”, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit organizoi në Burrel Kampionatin e 7-të Kombëtar të Radioamatorizmit dhe Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë” për vitin 2024. Titullin Kampione e Vendit për Femra e fitoi znj. Elvira Shërali, ZA1EM, e ekipit “Radio-Sport Elbasani”, ndërsa titullin Kampion i Vendit për Meshkuj e mori z. Kujtim Çela, ZA4KC, i ekipit “Radio-Sport Kruja”. Garat individuale nisën me pesë kategori të plota dhe 18 sportistë radioamatorë të regjistruar për pjesëmarrje, por për shkak të mosparaqitjes pa arsye të pesë prej tyre, rezultatet e përllogaritjeve në rang ekipesh dolën të deformuara. Pas zhvillimit të Kampionatit Botëror, presidenti i FSHR-së, së bashku me kryetarët e klubeve, do të organizojë një mbledhje për marrjen e një vendimi mbi këtë çështje dhe për përllogaritjen e re të rezultateve ekipore për Kupën e Shqipërisë.
18.09.2024 - Ambasada Tuniziane në Athinë, Greqi, dha përgjigje pozitive në lidhje me lëshimin e vizave tuniziane për anëtarët e Ekipit Kombëtar: Anila Shati, Elvira Shërali, Mimoza Balliu dhe Fatos Demeti, të cilët do të përfaqësojnë Ekipin Shqiptar me pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror IARU HSTWC, që do të zhvillohet më 9–13 tetor 2024 në Tunizi, Afrikë. Pritja për përfundimin e procedurave të vizave vazhdon.
18.09.2024 - Kryesia e “Radio-Sport Burreli” dorëzoi, me shumë vonesë dhe vetëm pas kërkesave të përsëritura, listën prej tetë sportistësh radioamatorë që do të marrin pjesë në Kampionatin Kombëtar dhe Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë”, që do të zhvillohen më 5-6 tetor në qytetin e Burrelit.
17.09.2024 - FSHR iu drejtua zyrtarisht dhe në mënyrë të përsëritur Ambasadës Tuniziane në Athinë, Greqi, për të marrë informacion mbi procedurën që duhet ndjekur në lidhje me kërkesën për vizat tuniziane për anëtarët e Ekipit Kombëtar, të planifikuar të marrin pjesë në Kampionatin Botëror IARU HSTWC, që do të zhvillohet më 9–13 tetor 2024 në Tunizi, Afrikë.
16.09.2024 - Të gjitha ekipet sportive radioamatore, me përjashtim të “Radio-Sport Burreli”, dorëzuan listat e sportistëve radioamatorë që do të marrin pjesë në Kampionatin Kombëtar dhe Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë”, që do të zhvillohen më 5–6 tetor në qytetin e Burrelit.
13.09.2024 - Në mungesë të plotë të fondeve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për vitin 2024, dhe në pamundësi për të organizuar veprimtari pa mbështetje financiare, në një periudhë vështirësish ekonomike ku edhe vetë ekzistenca e FSHR-së rrezikohej, pesë anëtarë të klubit sportiv radioamator Radio-Sport Burreli – DK (financiere), MK, ZD (mësuese), RS dhe znj. Zhulieta Hoti (kryetare e klubit) - sponsorizuan pjesërisht, me shumën prej 49.700 lekësh, shpenzimet e parashikuara për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”, që do të mbahen më 5–6 tetor në qytetin e Burrelit.
Kryesia e FSHR-së dhe të gjithë anëtarët shprehin mirënjohjen e tyre të sinqertë për këtë kontribut.
12.09.2024 - FSHR iu drejtua zyrtarisht Ambasadës Tuniziane në Athinë, Greqi, për të marrë informacion mbi procedurën që duhet ndjekur në lidhje me kërkesën për vizat tuniziane për anëtarët e Ekipit Kombëtar, të planifikuar të marrin pjesë në Kampionatin Botëror IARU HSTWC, që do të zhvillohet më 9-13 tetor 2024 në Tunizi, Afrikë.
11.09.2024 - Misionet diplomatike në BE, si dhe ambasadat dhe konsullatat e Tunizisë në Serbi, Itali dhe Austri, konfirmuan se vetëm Ambasada Tuniziane në Athinë, Greqi, është përgjegjëse për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe ka kompetencat e nevojshme për lëshimin e vizave tuniziane për anëtarët e Ekipit Kombëtar.
09.09.2024 - FSHR vijon përgatitjet për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe pjesëmarrjen në atë Botëror, me fokus të veçantë në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për pajisjen me vizat tuniziane.
05.09.2024 - Megjithëse, për shkak të mungesës së fondeve dhe problemeve të tjera organizative, Ekipi Kombëtar nuk është përcaktuar ende, FSHR njoftoi Organizatën Kombëtare Antidoping (OKAD) për zhvillimin e Kampionatit Botëror të 20-të IARU HSTWC 2024 “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”, që do të mbahet më 9–13 tetor në Nabeul, Tunizi, Afrikë.
05.09.2024 - FSHR njoftoi sportistët radioamatorë të të gjitha klubeve sportive të radioamatorizmit për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë”, që do të mbahen më 5-6 tetor 2024 në qytetin e Burrelit.
04.09.2024 - FSHR njoftoi Organizatën Kombëtare Antidoping (OKAD) për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”.
04.09.2024 - FSHR i dërgoi Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe avokatit mbrojtës të gjithë materialin e dokumentuar në lidhje me Kampionatin Botëror të 19-të IARU HSTWC 2023, së bashku me kërkesën për informacion nga FSHR dhe vërtetimin me shkrim të IARU-së. Pritet një përgjigje pozitive; në të kundërt, do të ndërmerren hapat e nevojshëm ligjorë dhe mediatikë.
29.08.2024 - Avokati i FSHR-së zhvilloi një takim formal pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) në lidhje me shpërblimet për sportistët radioamatorë pjesëmarrës në Kampionatin Botëror IARU HSTWC 2023. Gjatë takimit, përfaqësuesit e MAS pretenduan se ky aktivitet nuk përbën një Kampionat Botëror.
15.07.2024 - Për shkak të mungesës së fondeve të nevojshme për organizimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”, të planifikuara fillimisht më 13–14 prill 2024, më pas më 18-19 maj 2024 dhe më vonë më 16-17 gusht 2024, FSHR vendosi shtyrjen e këtyre aktiviteteve të rëndësishme për datat 5-6 tetor 2024.
10.06.2024 - Kampionati Botëror “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë” do të zhvillohet më 9-13 tetor në Nabeul, Tunizi. Ky kampionat, që organizohet për herë të parë në kontinentin afrikan, do të ketë pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e FSHR-së vetëm nëse sigurohen fondet e nevojshme, qoftë nga buxheti i shtetit përmes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, qoftë nga donatorë të mundshëm. Për këtë qëllim, FSHR ka hapur një fushatë GoFundMe në adresën: https://www.gofundme.com/f/albania-amateur-radio-20th-iaru-hst-world-champ si dhe ka vendosur një kod QR në krye të faqes zyrtare të internetit, duke ftuar këdo ta shpërndajë atë.
01.06.2024 - Më 28-30 qershor 2024, në Friedrichshafen, Gjermani, zhvillohet “HAM RADIO 2024 - International Amateur Radio Exhibition”, i organizuar nga DARC, një nga ngjarjet më të mëdha të radioamatorëve në Evropë. Për shkak të mungesës së fondeve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit nëpërmjet buxhetit të shtetit, presidenti i FSHR z. Florian Gjonej, ZA5G dhe kryetari i SHKRSH z. Fatmir Elezi, ZA1RR do të përfaqësojnë FSHR-në atje me shpenzime personale..
30.05.2024 - Në mungesë të reagimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) lidhur me shpërblimet për sportistët radioamatorë pjesëmarrës në Kampionatin Botëror, FSHR kontaktoi studio ligjore e juristë për mbështetjen e kërkesës së ligjshme të sportistëve radioamatorë, nëse e nevojshme edhe ndjekjen e çështjes në rrugë ligjore.
04.04.2024 - Bazuar në Ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”, të ndryshuar me VKM nr. 789, datë 15.12.2021, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë dhe trajnerëve të tyre”, dhe në mungesë të një përgjigjeje pozitive nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, FSHR përsëriti kërkesën me afat për shpërblimet e sportistëve radioamatorë në lidhje me Kampionatin Botëror HST 2023.
03.04.2024 - Për shkak të mungesës së fondeve të nevojshme për organizimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”, të planifikuara fillimisht më 13-14 prill 2024 dhe më pas më 18-19 maj 2024, FSHR vendosi shtyrjen e këtyre aktiviteteve të rëndësishme për datat 16-17 gusht 2024.
27.03.2024 - Mbyllja e bilancit të vitit 2023 dhe dorëzimi i tij pranë organeve tatimore u krye brenda afateve ligjore. Kërkesa e FSHR-së për pezullimin e Taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe të Taksës për tarifën e pastrimit, me argumentin se FSHR nuk ka seli reale fizike por vetëm virtuale për NIPT-in, nuk ka pasur asnjëherë të punësuar dhe nuk ka përfituar fonde fikse nga MAS përmes buxhetit të shtetit, mori përgjigje me telefon nga Bashkia Tiranë se nuk mund të merret parasysh.
27.03.2024 - Bazuar në Ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”, të ndryshuar me VKM nr. 789, datë 15.12.2021, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë dhe trajnerëve të tyre”, si dhe në Ligjin nr. 105/2020, pikat 4, 6, 9, 15, 16 dhe 17 për veprimtaritë kombëtare zyrtare, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit i kërkoi Bashkive të Elbasanit dhe Krujës zbatimin e ligjit në lidhje me shpërblimet për sportistët radioamatorë elitarë, për rezultatet e shkëlqyera të arritura gjatë vitit 2023 dhe veçanërisht në Kampionatin Kombëtar.
14.02.2024 - Bazuar në Ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”, të ndryshuar me VKM nr. 789, datë 15.12.2021, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë dhe trajnerëve të tyre”, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit, pas përgjigjes negative të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), përsëriti kërkesën për shpërblimet e sportistëve radioamatorë elitarë dhe trajnerëve të tyre, për rezultatet e shkëlqyera të arritura gjatë vitit 2023 dhe veçanërisht në Kampionatin Botëror HST 2023.
20.12.2023 - FSHR përpiloi dhe dërgoi relacionet narrative të aktiviteteve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).
05.12.2023 - Bazuar në Ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”, të ndryshuar me VKM nr. 789, datë 15.12.2021, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë dhe trajnerëve të tyre”, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit i kërkoi Ministrisë së Arsimit dhe Sportit shpërblimet për sportistët radioamatorë elitarë dhe trajnerët e tyre, për rezultatet e shkëlqyera të arritura gjatë vitit 2023 dhe veçanërisht në Kampionatin Botëror HST 2023.
16.12.2023 - Presidenti i Federata Shqiptare e Radioamatorizmit z. Florian Gjonej, ZA5G, zhvilloi në Tiranë Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme. Pjesëmarrja ishte e kënaqshme por grumbullimi i anëtarëve pjesëmarrës kishte kosto relativisht të larta të cilat në mungesë së fondeve nga MAS përbëjnë problem.
15.11.2023 - Presidenti i FSHR z- Florian Gjonej, ZA5G njoftoi të gjithë radioamatorët anëtar për datën e mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme.
09-13.09.2023 - Ekipi Kombëtar i Shqipërisë, me mbështetjen kryesisht të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe pjesërisht të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), mori pjesë në Kampionatin Botëror të 19-të IARU HSTWC 2023, zhvilluar në Primorsko, Bullgari, me një përbërje prej gjashtë sportistësh radioamatorë elitarë. Ekipi u rendit në vendin e 6-të në botë, ndërsa rezultatet individuale të sportistëve në disiplinat përkatëse varionin nga vendi i 3-të deri në vendin e 9-të në botë.
02-03.09.2023 - Me mbështetjen financiare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), FSHR organizoi në Elbasan Kampionatin e 6-të Kombëtar të Radioamatorizmit dhe Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”. Titullin “Kampione e Vendit” për femra e fitoi znj. Anila Shati, e ekipit Radio-Sport Elbasani, ndërsa titullin “Kampion i Vendit” për meshkuj e fitoi z. Kujtim Çela, i ekipit Radio-Sport Kruja. Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë” e fitoi ekipi Radio-Sport Burreli, ndërsa RadioKlub Partizani dhe Radio-Sport Kruja u renditën përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë.
01.08.2023 - Federata Shqiptare e Radioamatorizmit do të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Botëror të 19-të “High Speed Telegraphy” – HSTWC, të organizuar nga International Amateur Radio Union (IARU), që do të zhvillohet më 9–13 shtator në Primorsko, Bullgari. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë disa nga sportistët radioamatorë që do të arrijnë rezultatet më të larta në Kampionatin Kombëtar “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”. Detajet e hollësishme do t’u komunikohen sportistëve pas përfundimit të Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë”, që do të zhvillohen në Elbasan më 2-3 shtator 2023. Numri i pjesëmarrësve në Kampionatin Botëror do të varet nga fondet në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).
12.07.2023 -Në bazë të Rregullores së IARU-t për Kampionatet e HST-së, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit përpilon Rregulloren për Kampionatet HST në Shqipëri.
15.04.2023 - Komisioni i verifikimit, kontrollit dhe marrjes në dorëzim të dokumentacionit të FSHR-së për vitet 2015-2022 shqyrtoi edhe dokumentet financiare të periudhës 15.04.2015-31.12.2022 dhe përpiloi procesverbalin nr. 2317 prot. Nga verifikimi rezultoi se ish-Sekretari i Përgjithshëm, z. Fatos Demeti (ZA1F), jo vetëm që nuk ka bërë ndonjë mashtrim apo vjedhje sipas pretendimeve të personave DD dhe AK ish nxënës të tij, të cilët nuk kanë kontribuar kurrë asgjë, por sipas dokumenteve të paraqitura, ai gjatë viteve 2015-2022, për të mos penguar zhvillimin e aktiviteteve të FSHR-së për shkak të mungesës së fondeve, në pamundësi tërheqjeje dhe në pritje të përmirësimit të gjendjes financiare të FSHR, ka paguar për FSHR nga të ardhurat e tij personale (rroga dhe pensioni) shumën totale prej 241.790 lekësh. FSHR-ja duhet t’ia kthejë këtë shumë kur të ketë burime të mjaftueshme financiare.
20.02.2023 - Ish Sekretari i Përgjithshëm i FSHR‑së z. Fatos Demeti po punon akoma për mbledhjen dhe dorëzimin e dokumentacionit të FSHR së grumbulluar në vite.
05.01.2023 - Presidenti i FSHR z. Florian Gjonej filloi punën me ish Sekretarin e Përgjithshëm të FSHR‑së z. Fatos Demeti dhe me Sekretarin e Përgjithshëm aktual të FSHR-së z. Edmond Budo, për mbledhjen dhe dorëzimin e dokumentacionit të grumbulluar në vite.
29.12.2022 - Me iniciativë të Sekretarit të Përgjithshëm të FSHR‑së, z. Fatos Demeti, u zhvillua mbledhja e Kryesisë Ekzekutive dhe votimi për zgjedhjen e organeve të reja drejtuese të Federatës, pas periudhës pothuajse dyvjeçare nga ndarja nga jeta e Presidentit të nderuarit të ndjerit z. Hyqmet Shypheja. Me votim shumice u zgjodh Kryesia Ekzekutive me anëtarë: znj. Anila Shati, z. Drini Dervishi, znjsh. Englantina Buzdra, znj. Elvira Shërali, z. Fatmir Elezi, z. Kujtim Çela, z. Jorgaq Gjoni dhe znj. Mimoza Balliu. Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh z. Edmond Budo, ndërsa President i FSHR‑së u zgjodh z. Florian Gjonej. Protokolli u mbajt nga z. Edmond Budo dhe u ngarkuan z. Fatos Demeti dhe z. Edmond Budo për njoftimin e institucioneve përkatëse.
29.12.2022 - Me iniciativë të Sekretarit të Përgjithshëm të FSHR‑së, z. Fatos Demeti, u zhvillua mbledhja e Kryesisë Ekzekutive dhe votimi për zgjedhjen e organeve të reja drejtuese të Federatës, pas periudhës pothuajse dyvjeçare të ndarjes nga jeta e ish Presidentit të nderuarit të ndjerit z. Hyqmet Shypheja. Me votim shumice u zgjodh Kryesia Ekzekutive me anëtarë: znj. Anila Shati, z. Drini Dervishi, znjsh. Englantina Buzdra, znj. Elvira Shërali, z. Fatmir Elezi, z. Kujtim Çela, z. Jorgaq Gjoni dhe znj. Mimoza Balliu. Sekretar i Përgjithshëm u zgjodh z. Edmond Budo, zv. President z. Geogios Blekas dhe President i FSHR‑së u zgjodh z. Florian Gjonej. Protokolli u mbajt nga z. Edmond Budo dhe u ngarkuan z. Fatos Demeti dhe z. Edmond Budo për njoftimin e institucioneve përkatëse.
14-18.09.2022 - Ekipi Kombëtar i Shqipërisë, i përbërë nga tetë sportistë radioamatorë të FSHR-së dhe i financuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), mori pjesë në Kampionatin e 18-të Botëror të IARU HSTWC, zhvilluar në Sokobanja, Serbi, pavarësisht kushteve të vështira të pandemisë Covid-19. Ekipi u rendit në vendin e 5-të nga 13 vende pjesëmarrëse.
10-14.09.2021 - Ekipi Kombëtar i Shqipërise i përbëre me 7 sportistët radioamatorë të FSHR e i financuar nga KOKSH - Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, edhe pse në kohë të vështira të pandemisë Covid, mori pjesë në Kampionatin e 17-të Botëror të IARU HSTWC në Herzeg Novi, Mali i Zi ku zuri vendin e 6-të nga 21 vende pjesëmarrëse.
13-17.09.2019 - Për shkak të mungesës së fondeve, ekipi përfaqësues i FSHR-së nuk mori pjesë në Kampionatin Botëror të 16-të IARU HSTWC, zhvilluar në Albena, Bullgari.
01-05.05.2019 - Ekipi Kombëtar i Shqipërisë, i përbërë nga shtatë sportistë radioamatorë të FSHR-së dhe i financuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), mori pjesë në Kampionatin Ballkanik dhe atë Evropian, zhvilluar në Bukuresht, Rumani. U fituan tetë medalje bronzi dhe një medalje argjendi, duke u renditur në vendin e 3-të në Ballkan dhe në vendin e 5-të në Evropë.
01-12.10.2018 - Federata Shqiptare e Radioamatorizmit përmes ndërmejtësimit të Radioklub Shkodra, aktivizoi radioamatorë të rinj, kryesisht nga klubi sporti radioamator Radio-Sport Elbasani, në veprimtarinë e organizuar nga RadioKlub Shkodra në bashkëpunim me RadioKlub Graz, Austri, gjatë Kampionatit “Marconi” në bandën 2 m. Për herë të parë u realizua aktivizimi i Shqipërisë në komunikimin EME (Earth-Moon-Earth) - Tokë-Hënë-Tokë, kryesisht me Evropën, por edhe me Azinë, Afrikën dhe Amerikën, duke pasuruar njohuritë mbi komunikimet telemetrike, digjitale dhe telegrafike përmes Hënës.
25-29.08.2018 - Për shkak të mungesës së fondeve, ekipi përfaqësues i FSHR-së nuk merr pjesë në Kampionatin Botëror të 15-të IARU HSTWC, në Astana, Kazakistan.
08-12.09.2017 -Për shkak të mungesës së fondeve, ekipi përfaqësues i FSHR-së, i përbërë vetëm nga tre sportistë radioamatorë të vetëfinancuar, mori pjesë në Kampionatin Botëror të 14-të IARU HSTWC, zhvilluar në Esztergom, Hungari, ku u rendit në vendin e 7-të nga 26 vende pjesëmarrëse.
21-25.09.2016 - Për shkak të mungesës së fondeve, ekipi përfaqësues i FSHR-së nuk merr pjesë në Kampionatin Botëror të 13-të IARU HSTWC, në Igalo, Mali i Zi.
09-13.09.2015 - Për shkak të mungesës së fondeve, ekipi përfaqësues i FSHR-së, i përbërë vetëm nga tre sportistë radioamatorë të vetëfinancuar, mori pjesë në Kampionatin Botëror të 12-të IARU HSTWC, zhvilluar në Ohër, Maqedoni, ku u rendit në vendin e 15-të nga 24 vende pjesëmarrëse.
15-17.05.2015 - Për shkak të mungesës së fondeve, ekipi përfaqësues i FSHR-së, i përbërë vetëm nga dy sportistë radioamatorë të vetëfinancuar, mori pjesë në Kampionatin Ballkanik të HST-së, zhvilluar në Zvilajnac, Serbi.
Prill 2015 - U krye riorganizimi i Federatës Shqiptare të Radioamatorizmit dhe u zhvilluan zgjedhjet për Presidentin, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Komitetin Ekzekutiv.
09.02.2005 - Pas periudhës së tranzicionit, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit u regjistrua si shoqatë OJF në Gjykatën e Rrethit Tiranë, me qëllim statutor ushtrimin e sportit të radioamatorizmit; bashkimin, koordinimin, organizimin dhe drejtimin e aktiviteteve sportive të sportistëve radioamatorë në Shqipëri; rritjen e aftësive cilësore të tyre në mbarë vendin përmes një stërvitjeje të organizuar dhe të planifikuar sipas standardeve ndërkombëtare në ushtrimin me tasto, marrjen direkte dhe përdorimin e aparaturave bashkëkohore; njohjen e kodit Q të komunikimit botëror; si dhe përgatitjen për punën në radiostacion, brenda vendit dhe në rrjetin ndërkombëtar. Themeluesit janë: Miftar Fana, Fatos Demeti, Hyqmet Shypheja, Mynir Bulku dhe Florian Gjonej.
1952 - shënon themelimin e Federatës Shqiptare të Radioamatorizmit.