HF/VHF/UHF/SHF Contests - Garat në HF/VHF/UHF/SHF
Në radioamatorizëm ka një numër të madh garash të ndryshme ose contests. Në fakt, çdo fundjavë ka të paktën një garë, shpesh edhe disa që zhvillohen pothuajse njëkohesisht. Ato organizohen kryesisht në fundjave në mënyrë që sa më shumë radioamatorë të kenë mundesi të marrin pjesë në kohën e tyre të lirë.
Garat dallohen nga mënyra e operimit (SSB, CW, Digital, etj.), disa gara janë të kufizuara rajonalisht, por të gjitha ndjekin përgjithësisht një qëllim, që të nxisin rritjen e pjesëmarrjes dhe aktivitetin në brezat e radioamatorëve.
Shumica e garave organizohen nga shoqatat dhe federatat kombëtare e kështu që edhe organizimi, vlerësimi dhe shpallja e fituesve bëhet nga ato si psh. ARRL në SHBA, UBA në Belgjikë, DARC në Gjermani, ARI në Itali, FSHR në Shqipëri por ka edhe shoqata e grupime më të vogla si AGCW, apo revista amerikane "CQ Magazine" që organizojnë për radioamatorët gara të ndryshme si CQ, CQ WW, CQ WPX etj..
Garat me karakter botëror quhen Kampionate Botërore dhe organizohen kryesisht nga IARU (International Amateur Radio Union).
Federata Shqiptare e Radioamatorizmit ndihmon e mbështet sportistët radioamatorë me të gjitha mjetet në dispozicion që të marrin pjesë në aktivitetet kryesore radioamatoriale të publikuara në kalendarin e vitit në adresen FSHR Kalendari aktiviteteve 2024.
Sigurisht që Kampionati Kombëtar, Kupa e Shqipërisë, Kampionati Evropian dhe Kampionati Botëror në "Telegrafi - Shpejtësi e Lartë" kanë prioritet por inkurajohet gjithashtu pjesëmarrja e sportistëve radioamatorë në të gjitha aktiviteteve të tjera. Megjithatë Klubet Sportive Radioamatore në të gjitha rrethet por edhe radioamatorët individualisht, inkurajohen të marrin pjesë edhe në aktivitetet e garat e tjera sportive që organizojnë klubet sportive, shoqatat e federatat sportive radioamatoriale në Europë e mbarë botën.
WA7BNM vë në dispozicion kalendarin e të gjithë aktiviteteve radioamatoriale në faqen https://www.contestcalendar.com/contestcal.html - konsultojeni këtë kalendar që të planifikoni pjesëmarrjen në aktivitete e gara të tjera.