SOTA (Sumits on the Air) - Majat (e maleve) në ajër

Të qëndruarit për një kohë të gjatë në shtëpi, pa lëvizur nga stacioni i radios ose përpara ekranit - qoftë për punë, sport apo hobi - zakonisht nuk është e shëndetshme. Por ekziston mundësia që sporti i radioamatorizmit të zhvillohet çdo kohë, në diell dhe ajër të pastër: në parqe, fusha, kodra, buzë detit, në ishuj dhe, sigurisht, edhe në male!
Summits on the Air (SOTA), ose “Majat (e maleve) në Ajër”, është një program garash dhe diplomash për radioamatorë, i krijuar për të promovuar operimin radioamator edhe nga majat e maleve. Në kuadër të këtij sporti, radioamatorët e licencuar kombinojnë ecjen dhe ngjitjen në mal me operimin e pajisjeve të lëvizshme të transmetimit dhe marrjes, antenave dhe sistemeve portative të furnizimit me energji, duke realizuar lidhje radio nga lartësitë malore.
Ata që operojnë pajisjet e tyre në një majë mali quhen Aktivues (activators), ndërsa ata që përpiqen të krijojnë lidhje radio nga vende të tjera me ta quhen Gjuetarë (chasers). Për këtë arsye, ekzistojnë dy lloje diplomash që mund të fitohen: një për Aktivuesit dhe një për Gjuetarët.
Një nga kushtet kryesore për aktivizimin e një maje është që ajo të ketë një ngritje prej të paktën 150 metrash nga qafa më e afërt e malit dhe të jetë të paktën 150 metra e largët nga majat e tjera.
Pikët jepen për lidhjet radio të realizuara nga majat ose drejt majave. Në rajonet e ndryshme, sa më i lartë të jetë mali, aq më shumë pikë grumbullohen. Brezat e frekuencave dhe mënyrat e operimit ndikojnë në dhënien e pikëve vetëm gjatë garave speciale, si p.sh. sfida 6m/10m (6m/10m challenge).
Lidhjet Maja në Majë (Summit to Summit - S2S) midis dy Aktivuesve, ku secili vepron njëkohësisht si Aktivues dhe si Gjuetar, vlerësohen veçmas si Summit to Summit, përveç pikëve të zakonshme që jepen për Aktivuesit dhe Gjuetarët.
Shumica e organizatave radioamatore në mbarë botën kanë shoqatat e tyre SOTA. Edhe Shqipëria numëron rreth 500 maja që plotësojnë kushtet për t’u përfshirë në këtë program, dhe Presidenti i Federata Shqiptare e Radioamatorizmit z. Florian Gjonej, ZA5G po punon për regjistrimin e tyre në këtë iniciativë me rëndësi të veçantë për zhvillimin e sportit të radioamatorizmit në Shqipëri.
Rregullat e detajuara janë të disponueshme në faqen e internetit të SOTAs.
GMA (Global Mountain Activity) - Aktiviteti Global i Maleve

Që nga fillimi i vitit 2009, ekipi menaxhues i SOTA-s ka hequr një numër të madh majash nga programi, pasi nuk përputheshin me rregullat e përgjithshme të tij. Këto maja janë përfshirë në programin GMA – Aktiviteti Global i Maleve. Numrat e referencës së këtyre majave fillojnë me parashtesën DA dhe llogariten gjithashtu për SOTA dhe programe të tjera malore.
Në faqen zyrtare të GMA-së gjendet një hartë dhe një listë e lartësive që përputhen me kriteret e programit. Të dhënat janë të disponueshme si skedarë KML dhe GPX, të cilët mund të përdoren drejtpërdrejt me pajisje navigimi në natyrë.
Edhe majat e përfshira në GMA duhet të plotësojnë disa kritere, megjithëse më të thjeshta se ato të SOTA-s. Për shembull:
- Duhet të kenë një ngritje prej të paktën 100 metrash nga qafa më e afërt e malit.
- Duhet të jenë të paktën 100 metra larg nga majat e tjera.
- Ngjitja dhe aktivizimi duhet të bëhen pa asnjë mjet ose ndihmë shtesë mekanike.
- Pajisjet radio duhet të furnizohen vetëm me bateri ose panelet diellore, por jo me gjeneratorë elektrikë.
Njësoj si në programin SOTA, ata që operojnë pajisjet e tyre në një majë mali quhen Aktivues (activators), ndërsa ata që përpiqen të krijojnë lidhje radio nga vende të tjera me ta quhen Gjuetarë (chasers). Për këtë arsye, ekzistojnë dy lloje diplomash që mund të fitohen: një për Aktivuesit dhe një për Gjuetarët.
Për më tepër informacione mund të konsultoni faqen e GMA
