Dita Botërore e Radioamatorëve - World Amateur Radio Day
ARSC (Amateur Radio Satellite Communications) - Komunikimi përmes satelitëve

Që nga viti 1961, radioamatorët kanë kontribuar në krijimin e një konstelacioni prej rreth 150 satelitësh hapësinorë në orbitë rreth Tokës. Këta satelitë shpesh zhvillohen në bashkëpunim me institucione akademike dhe lëshohen me mbështetjen e organizatave hapësinore dhe satelitore. Satelitët radioamatorë janë pajisje që zakonisht ndërtohen ose operohen nga radioamatorët dhe përdorin brezat e dedikuar të radioamatorëve për komunikim.

Disa prej tyre përmbajnë transponder që mund të shërbejnë si stacione përsëritëse për mënyra të ndryshme operimi, ndërsa të tjerë mbajnë eksperimente shkencore ose kamera, të dhënat e të cilave transmetohen vazhdimisht drejt Tokës.

Satelitët radioamatorë me orbitë rreth Tokës njihen me akronimin OSCAROrbiting Satellite Carrying Amateur Radio.

Këta satelitë shërbejnë për komunikimin satelitor midis radioamatorëve, si edhe për qëllime të ndryshme eksperimentale. Satelitët e parë përdornin frekuenca në brezat 15 m dhe 10 m, ndërsa sot shumica e trafikut radioamator‑satelitor zhvillohet në brezat 2 m dhe 70 cm e sidomos brezat më të lartë të dedikuar për radioamatorë.

Përdorimi ose komunikimi përmes satelitëve, pothuajse në të gjitha rastet, kërkon pamje të drejtpërdrejtë (line‑of‑sight) me satelitin. Satelitët aktualë të përdorur nga radioamatorët janë kryesisht të tipit LEO (Low Earth Orbit), të cilët fluturojnë në orbita të ulëta, rreth 400–1200 km mbi sipërfaqen e Tokës. Kjo u mundëson jo vetëm komunikimin në distanca brenda të njëjtit kontinent, por edhe mijëra kilometra mes kontinenteve, gjatë një dritareje kohore maksimale prej rreth 20 minutash, në varësi të lartësisë dhe drejtimit të orbitës. Për shkak se energjia prodhohet vetëm nga panelet diellore dhe fuqia humbet pjesërisht për shkak të rrezatimit në vakum, fuqia e transmetimit të këtyre satelitëve është zakonisht nën 1 Watt. Në brezin radioamator 2 m, sinjalet mund të merren praktikisht edhe me antena omnidireksionale ose vertikale, megjithëse performanca përmirësohet ndjeshëm me antena helikoidale ose quadrifilare. Në brezat më të lartë të frekuencave, për shkak të gjatësisë më të vogël të valës, sipërfaqja efektive e antenave zvogëlohet dhe humbjet rriten; për këtë arsye, operimi është i mundur me antena të drejtuara, si antena yagi me shumë elemente ose antena helikoidale të montuara në parabola.

Organizata si AMSAT (The Radio Amateur Satellite Corporation), ARISS (Amateur Radio on the International Space Station), ARSPEX (The ARSPEX Working Group) dhe të tjera ofrojnë informacion, mbështetje dhe koordinim në fushën e satelitëve për operatorët radioamatorë. Këto organizata zhvillojnë gjithashtu gara të ndryshme dhe aktivitete speciale, përfshirë marrjen e imazheve nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës përmes pajisjeve të ARISS, shpesh me rastin e përvjetorëve të kozmonautëve të ndryshëm apo ngjarjeve të tjera të rëndësishme historike.

Më poshtë një screenshot i faqes web të AMSAT ku shfaqen të gjithë kalimet e satelitëve LEO në kohë reale mbi Shqipëri ose ekzaktësisht mbi Shkodër lokatori JN92SB.

Siç shihet qartë, të dhënat e përditësuara Kepler për secilin satelit, si edhe frekuencat aktuale të transponderëve, jepen në kohë reale. Për marrje dhe dhënie, këto frekuenca duhet të korrigjohen në përputhje me efektin Doppler. Kështu, me pak përkushtim dhe përvojë, operatorët radioamatorë mund të realizojnë komunikime përmes tyre, si brenda të njëjtit kontinent, ashtu edhe midis kontinenteve të ndryshme, duke përdorur pajisje radio të thjeshta dhe me fuqi prej vetëm disa watt, praktikisht në çdo kohë!

ARSC (Amateur Radio Satellite Communications) - Komunikimi përmes satelitëve