Gjatësia e valës së dritës përbën një bandë të ligjshme për operatorët radioamatorë, siç përcaktohet në Pjesën 97 të Kodit të Rregulloreve Federale të SHBA-së. Liga Amerikane e Radioamatorëve (ARRL) ka një rregullore të posaçme kampionatesh, e cila përcakton kriteret për kontaktet midis radioamatorëve të realizuara përmes valëve të dritës.
Si parim funksionimi, njësoj si për radiot marrëse‑dhënëse të operatorëve radioamatorë, në komunikimin me valët e dritës, në vend të antenave dhe stadeve dhënëse e marrëse përdoren pajisje të posaçme: transmetuesit kërkojnë llamba lazer, ndërsa marrësit përdorin detektorë elektronikë me ndjeshmëri të lartë.
Zakonisht kërkohen aftësi të mira në elektronikë për ndërtimin e dhënësve dhe marrësve me valë drite, pasi ska pajisje të gatshme për t’u blerë në treg. Eksperimentimet në këtë disiplinë janë të shumta dhe shpesh çojnë në arritje mbresëlënëse, sidomos kur distancat e komunikimit rriten duke vendosur rekorde të reja. Për shembull, me një diodë lazer me fuqi 2 mW (llambat e zakonshme të lira të përdorura për pointer), në kushte të zakonshme mund të arrihen distanca komunikimi deri në 1000 km.
E veçanta e kësaj disipline, ndryshe nga disiplinat e tjera ku përgjithësisht dominon komunikimi një‑me‑shumë (point‑to‑multipoint), është se me valët e dritës komunikimi është i mundur vetëm një‑me‑një (point‑to‑point), pra praktikisht “sekret”. Për këtë arsye, shumë nga radioamatorët pionierë të kësaj fushe janë angazhuar më pas nga NASA, entitete të ndryshme ushtarake dhe kompani të komunikimeve satelitore, për të përmirësuar dhe zbatuar në fusha të tjera të komunikimit teknikat që kishin zhvilluar fillimisht si radioamatorë!
Më poshtë paraqiten dy skema të thjeshta, por efektive, të dhënësit dhe marrësit për komunikimin me valët e dritës.

