Dita Botërore e Radioamatorëve - World Amateur Radio Day
HST (High Speed Telegraphy) - Telegrafi Shpejtësi e Lartë 

Telegrafia me Shpejtësi të Lartë (HST) është një nga disiplinat sportive të radioamatorizmit që sfidon operatorët sportistë radioamatorë të marrin dhe të kopjojnë me saktësi, e në disa gara edhe të dërgojnë, tekste në kodin Mors me shpejtësi shumë të lartë.

Ky aktivitet është veçanërisht i popullarizuar në Evropën Lindore. Bashkimi Ndërkombëtar i Radioamatorëve (IARU) ka organizuar shumicën e kampionateve ndërkombëtare, kombëtare dhe lokale të HST-së në vendet e ish‑Bllokut Lindor. Deri më sot, çdo kampionat tjetër botëror është zhvilluar në Evropë, kryesisht për arsye se shumica e vendeve pjesëmarrëse ndodhen në këtë kontinent ose shumë pranë tij.

Megjithatë, viti 2024 ishte një risi, pasi Kampionati Botëror i 20-të i IARU në HST u zhvillua për herë të parë në kontinentin afrikan, në qytetin Nabeul të Tunizisë.

Ndërsa pritej mundësia që edicioni i vitit 2025 të mbahej në një kontinent tjetër si psh. në Azi, është tashmë zyrtare që Kampionati Botëror i 21-të i IARU në HST do të zhvillohet në Republikën e Malit të Zi, nga 15 deri më 19 tetor 2025.

Kampionati i parë ndërkombëtar i Telegrafisë me Shpejtësi të Lartë (HST) ishte Kampionati Evropian HST, i mbajtur në Moskë, Rusi, në vitin 1983. Dy kampionate të tjera evropiane u zhvilluan më pas: në vitin 1989 në Hannover, Gjermani, dhe në vitin 1991 në Neerpelt, Belgjikë, ndërkohë që rajonet e tjera organizonin kampionatet e tyre përkatëse. Kampionati i parë Botëror HST u mbajt në Siófok, Hungari, në vitin 1995. Fillimisht, Kampionati Botëror i IARU në HST (HSTWC) për të gjitha rajonet u zhvillua çdo dy vite, ndërsa më vonë u shndërrua një aktivitet vjetor.

Sipas miratimit në mbledhjen e përbashkët të tre rajoneve të IARU më 13 qershor 2017, dhe të përditësuar në paragrafin B2.11 - "Rekomandohet që Kampionati Botëror IARU HST të zhvillohet një herë çdo vit" — rajonet 1, 2 dhe 3 nuk organizojnë më kampionate të veçanta rajonale të veçanta të rajoneve.

Duke filluar me kampionatin e zhvilluar në Esztergom, Hungari, nga 8 deri më 12 shtator 2017, të gjitha kampionatet e mëtejshme të HST-së janë bërë Kampionatet Botërore të IARU HST dhe zhvillohen çdo vit.

Sipas rregullores aktuale të IARU, kampionatet Telegrafi – Shpejtësi e Lartë (HST) zhvillohen në këto katër disiplina kryesore:
1. TELEGRAFI - MARRJE (Garuesit marrin sinjale në kodin Mors me shpejtësi shumë të lartë dhe duhet t’i transkriptojnë saktësisht.)
2. TELEGRAFI - TRANSMETIM (Garuesit dërgojnë tekste në kodin Mors me shpejtësi të lartë, duke demonstruar saktësi dhe ritëm të qëndrueshëm.)
3. MORSE RUNNER – SIMULIM KONTESTI (Një program kompjuterik simulon kushte reale pune në radio, ku garuesit duhet të marrin dhe të regjistrojnë saktë thirrjet e stacioneve të shumta në kushte të ndryshme zhurme dhe ndërhyrjeje.)
4. RUFZXP - MARRJE SHENJA THIRRJEJE (Një program trajnimi dhe gare ku garuesit marrin me shpejtësi të lartë shenja thirrjeje (call signs) të transmetuara në kodin Mors dhe duhet t’i shkruajnë ato shpejt dhe saktë.)
kurse garuesit ndahen në 9 kategori përkatësisht sipas gjinisë dhe moshës të paraqitur në mënyrë shumë të qartë në tabelën e mëposhtme:
Kampionati Kombëtar dhe Kupa e Shqipërisë HST - kategoritë konkuruese sipas gjinisë dhe moshës

Sigurisht që për kampionatet e HST, IARU ka rregulloren e kampionatit botëror të sanksionuar e cila mund të konsultohet në HST Rules ndërsa Rregullorja e FSHR për Kampionatet HST në Shqipëri  është miratuar në korrik 2023 e duke klickuar në të, mund të shkarkoni e ta konsultoni në çdo kohë.

Lista e kampionateve botërore të IARU mund të konsultohet në HST World Championships ndërsa lista e rekordeve botërore në HST World Records

Ekipi Kombëtar i Shqipërisë, i përbërë nga sportistët më të mirë të klubeve sportive radioamatore anëtare të Federatës Shqiptare të Radioamatorizmit, ka marrë pjesë në disa kampionate ballkanike, evropiane dhe, kryesisht, në Kampionatin Botëror të IARU HSTWC, duke përmirësuar vazhdimisht rezultatet individuale dhe ato ekipore.

Megjithatë, pjesëmarrja është bërë gjithnjë e më e vështirë vitet e fundit, për shkak të rritjes së kostove dhe varësisë së FSHR-së nga fondet e vëna në dispozicion nga institucionet përkatëse, kryesisht ato të Buxhetit të Shtetit për federatat sportive jo‑olimpike, të administruara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.


Bëjmë thirrje për mbështetje nga individë, biznese dhe sponsorë dashamirës të sportit! Kontributi juaj ndihmon Federatën Shqiptare të Radioamatorizmit të ruajë dhe zhvillojë këtë sport teknik e shërbim komunitar me rëndësi jetike, të aftë të sigurojë komunikime edhe kur rrjetet tradicionale dështojnë. Në https://fshra.org/help gjeni të gjitha mënyrat për të dhënë ndihmën tuaj, përfshirë:

  •  - Llogaritë bankare në EUR dhe ALL pranë Credins Bank

  •  - Donacionet përmes PayPal

  •  - Informacion mbi projektet dhe aktivitetet që mbështeten nga fondet tuaja

Çdo ndihmë, sado modeste, është një hap i madh përpara për sportin dhe komunitetin tonë!


Disa video dhe kronika nga Kampionatet Botërore të IARU HST World Championships ku Ekipi Kombëtar ka arritur të marrë pjesë.




Programet e miratuara nga FSHR për përdorim gjatë Kampionateve Kombëtare mund ti shkarkoni direkt në https://fshra.org/downloads