Njoftime
17.10.2024 - Nga mosparaqitja e disa sportistëve radioamatorë gjatë Kampionatit Kombëtar në Burrel lindën keqkuptime në lidhje me regulloren e pjesëmarrjes së sportistëve në kategoritë përkatëse e për pasojë pati edhe presione të rënda individuale, mosmarrëveshje dhe kontestime të rezultateve ekipore. Pak ditë më pas, gjatë Kampionatit Botëror, presidenti i FSHR diskutoi problematikën e lindur me përfaqësuesit më të lartë të IARU-t dhe përgjigjet ishin pa ekuivoke: lëvizjet në kategori shkaktojnë alokime e për pasojë duhen patjetër përllogaritje të reja ekipore! Për arsyet e mësipërme sot më dt. 17.10.2024 u zhvillua mbledhja me pjesëmarrjen e Presidentit të FSHR z. Gjonej dhe kryetarëve të klubeve pjesëmarrëse në kampionat, Radio-Sport Burreli znj. Hoti, Radio-Sport Elbasani znj. Shërali, Radio-Sport Kruja z. Çela, RadioKlub Partizani z. Gjoni dhe për Shoqata Kombëtare e Radioamatorëve Shqiptarë z. Elezi, për shqyrtimin dhe sqarimin e rregullores e në veçanti pikës B2.13 në lidhje kategoritë e sportistëve gjatë Kampionatit Kombëtar. Pasi u sqarua në detaje pika B2.13 e rregullores të gjithë kryetarët e klubeve sportive radioamatore unanimisht morën vendimin që pamvarësisht plotësimit fillestar të kategorive me nga të paktën tre konkurrentë, për arsye të mosparaqitjes së 7 sportistëve, përllogaritja e pikëve për garën mes ekipeve, pra Kupën e Shqipërisë në Radioamatorizëm "Telegrafi - Shpejtësi e Lartë" duhet të bëhet e veçantë duke alokuar konkurrentët në kategorië e tyre origjinale sipas moshës. Në ditët në vazhdim edhe me ndihmën e IARU-t, FSHR do të përllogarisë përsëri rezultatet e Kampionatit të 7-të Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në "Telegrafi - Shpejtësi e Lartë" dhe në rast ndryshimesh të mundshme të renditjes ekipore do të shpallë të pavlefshme rezultatet e pasakta të datës 6.10.2024 dhe do ti komunikojë rezultatet e korrigjuara brenda 2 javësh!
16.10.2024 - Në mungesë të plotë të ndihmës financiare të MAS dhe KOKSH, presidenti i FSHR z. Gjonej blen me shpenzime personale kufje, tasto CW paddle, amplifikatorë dhe switch zëri stereo dhe i instalon tek klasa e re e radioamatorizmit së Radio-Sport Tirana, pranë Sheshit Wilson në Tiranë dhe e vetmja gjer tani që pas ndryshimit të sistemeve politike në Shqipëri, që kryetari i SHKRSH z. Elezi me shpenzime personale ka ngritur për sportistët radioamatorë që do të stërvitën këtu. I urojmë suksese në nismën e marrë dhe ftojmë të gjithë të interesuarit për sportin e radioamatorizmit të na kontaktojnë përmes email, telefonit ose direkt në fshra.org/register
09-13.10.2024 - Ekipi Kombëtar i Shqipërisë i FSHR-së merr pjesë në Kampionatin Botëror i 20-të IARU HSTWC 2024 dhe arrin rezultate të kënaqshme. Shpresojmë që sportistët radioamatorë të arrijnë të bëjnë në të ardhmen përgatitje stërvitore të plotë dhe konstante për të arritur rezultate më të mira në kampionatet tjera!
09.10.2024 - Ekipi Kombëtar i Shqipërisë i FSHR-së, pas shumë peripecish të transfertave të vështira, të lodhshme e të gjata nga aeroporti i mbërritjes nga Tirana në Paris në aeroportin tjetër po në Paris por 120km larg, si dhe ndalimeve nga autoritetet kufitare në aeroporte, më në fund arrin të ulet në Tunis, Tunizi dhe të marrë vizat tuniziane. Mbërritja në Hammamet ku zhvillohet Kampionati Botëror i 20-të IARU HSTWC 2024 realizohet pas mesnate pas 20 orësh shumë të lodhshme fluturimesh e udhëtimesh!
09.10.2024 - Presidenti i KOKSH Z. Fidel Ylli i dhuron presidentit të FSHR për Ekipin Kombëtar të Shqipërisë bluzat Team Albania. Me gjithë vonesat e mëdha të shkatuara nga konfirmimi me vonesë i ambasadata Tuniziane për vizat, u arrit të blihen biletat e avionit me transfertë përmes dy aeroporteve franceze në Paris. Mbështetja financiare për pjesëmarrjen u bë nga Radio-Sport Elbasani, nga presidenti i FSHR Florian GJonej, ZA5G dhe nga anëtari i RadioKlub Shkodra Helidon Gjonej, ZA5H.
09.10.2024 - Presidenti i KOKSH Z. Fidel Ylli i dhuron presidentit të FSHR për Ekipin Kombëtar të Shqipërisë bluzat Team Albania. Me gjithë vonesat e mëdha të shkatuara nga konfirmimi me vonesë i ambasadata Tuniziane për vizat, u arrit të blihen biletat e avionit me transfertë përmes dy aeroporteve franceze në Paris që në vetvete përbën një aventurë aq të vështirë dhe stresuese për të arritur në kohë në aeroportin tjetër të nisjes nga Parisi në Tunizi që ndodheet 120km larg nga aeroporti i mbërritjes nga Tirana. Aventurë më vete!
07.10.2024 - pas shumë komunikimesh me shumë njësi diplomatike, më në fund 2 ditë përpara fillimit ë Kampionatit Botëror të 20-të të IARU HSTWC 2024, Ambasada Tuniziane në Athinë, Greqi dhe Ambasada Tunizianë në Vjenë, Austri konfirmojnë se sportistët radioamatorë do të pajisen me vizat tuniziane me të mbërritur në aeroportin e Tunisit në Tunizi.
05-06.10.2024 - FSHR me mbështetjen financiarë të 5 anëtarëve të Radio-Sport Burreli, organizon në Burrel Kampionatin e 7-të Kombëtar të Radioamatorizmit dhe Kupën e Shqipërisë në "Telegrafi - Shpejtësi e Lartë" për vitin 2024. Titullin Kampione e Vendit për Femra e meritoi znj. Elvira Shërali e ekipit të Radio-Sport Elbasanit ndërsa Titullin Kampion i Vendit për Meshkuj e fitoi z. Kujtim Çela i ekipit të Radio-Sport Krujës. Garat individuale filluan me 5 kategori të plota dhe 18 sportistë radioamatorë të regjistruar për pjesëmarrje në kampionat, por për arsye të mosparaqitjes pa arsye të 5 prej tyre, rezultatet e përllogaritjeve në rang ekipesh dolën të deformuara/denatyruara. Pas zhvillimit të kampionatit Botëror presidenti i FSHR së bashku me kryetarët e klubeve do të organizojnë një mbledhje për marrjen e një vendimi në lidhje me këtë problem dhe përllogaritjen rishtazi të rezultateve të ekipeve për Kupën e Shqipërisë.
18.09.2024 - Ambasada Tuniziane në Athinë, Greqi përgjigjet poziivisht në lidhje me lëshimin e vizave tuniziane për anëtarët e Ekipit Kombëtar Anila Shati, Elvira Shërali, Mimoza Balliu dhe Fatos Demeti që do të marrin pjesë në Kampionatin Botëror IARU HSTWC më 9-13 tetor 2024 në Tunizi, Afrikë. Pritja e vizave vazhdon....
18.09.2024 - Kryesia e Radio-Sport Burrelit, dorëzon më në fund me shumë vonesë vetëm pas kërkesash të përseritura, listen prej 8 sportistësh radioamatorë që do të marrin pjesë në Kampionatin Kombëtar dhe Kupën e Shqipërisë "Telegrafi - Shpejtësi e Lartë" më 5-6 tetor në qytetin e Burrelit.
17.09.2024 - FSHR i drejtohet zyrtarisht e në mënyrë të përsëritur Ambasadës Tuniziane në Athinë, Greqi për procedurën që duhet të ndiqet në lidhje me kërkesën për vizat tuniziane për anëtarët e Ekipit Kombëtar që janë planifikuar të marrin pjesë në Kampionatin Botëror IARU HSTWC më 9-13 tetor 2024 në Tunizi, Afrikë.
16.09.2024 - Të gjithë ekipet sportive radioamatore - përveç Radio-Sport Burreli - dorëzojnë listat e sportistëve radioamatorë që do të marrin pjesë në Kampionatin Kombëtar dhe Kupën e Shqipërisë "Telegrafi - Shpejtësi e Lartë" më 5-6 tetor në qytetin e Burrelit.
13.09.2024 - Në mungesë të plotë të fondeve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për vitin 2024, në pamundësi për të organizuar veprimtari pa fonde mbështetëse e në kohë vështirësish financiare ku edhe ekzistenca FSHR rrezikohet, së bashku 5 anëtarë (DK-financiere, MK, ZD-mesuese, RS dhe Zhulieta Hoti-kryetarja e klubit) të Shoqatës së Radioamatorizmit "Radio-Sport Burreli", sponsorizojnë pjesërisht me 49700Lekë shpenzimet e parashikuara për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë "Telegrafi - Shpejtësi e Lartë" më 5-6 tetor në qytetin e Burrelit. Kryesia e FSHR-së dhe gjithë anëtarët Ju falënderojnë nga zemra!
12.09.2024 - Federata Shqiptare e Radioamatorizmit i drejtohet zyrtarisht Ambasadës Tuniziane në Athinë, Greqi për procedurën që duhet të ndiqet në lidhje me kërkesën për vizat tuniziane për anëtarët e Ekipit Kombëtar që janë planifikuar të marrin pjesë në Kampionatin Botëror IARU HSTWC më 9-13 tetor 2024 në Tunizi, Afrikë.
11.09.2024 - Misionet Diplomatike në EU si dhe Ambasadat dhe Konsullatat e Tunizisë në Serbi, Itali dhe Austri përgjigjen që vetëm Ambasada Tuniziane në Athinë, Greqi është përgjegjëse për shtatasit shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe ka kompetencat e duhura për lëshimin e vizave tuniziane për anëtarët e Ekipit Kombëtar.
09.09.2024 - FSHR vazhdon përgatitjet për Kampionatin Kombëtar dhe atë Botëror e sidomos me dokumentacionin e nevojshëm për vizat tuniziane.
05.09.2024 - Megjithëse për mungesë fondesh dhe probleme tjera organizative Ekipi Kombëtar nuk është përcaktuar ende, FSHR njofton OKAD për zhvillimin e Kampionati Botëror të 20-të IARU HSTWC 2024 "Telegrafi - Shpejtësi e lartë" që do të zhvillohet më 9-13 tetor në Nabeul, Tunisi, Afrikë.
05.09.2024 - FSHR njofton sportistët radioamatorë të gjithë klubeve sportive radioamatore për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupa e Shqipërisë në "Telegrafi - Shpejtësi e Lartë" më 5 dhe 6 tetor 2024 në qytetin e Burrelit.
04.09.2024 - FSHR njofton OKAD për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupa e Shqipërisë në "Telegrafi - Shpejtësi e Lartë".
04.09.2024 - FSHR-së i dërgon MAS dhe avokatit mbrojtës të gjithë materialin e dokumentuar në lidhje me Kampionatin Botëror të 19-të të IARU HSTWC 2023 së bashku me kërkesën e informacionit nga FSHR e vërtetimin me shkrim të IARU-t. Pritet përgjigje pozitive, përndryshe ndërmerren hapat e nevojshëm ligjorë dhe mediatik.
29.08.2024 - Avokati i FSHR-së zhvillon një takim formal pranë MAS - Ministria e Arsimit dhe Sportit në lidhje me shpërblimet e sportistëve radioamatorë për Kampionatin Botëror IARU HSTWC 2023. Pretendimet e MAS janë që kampionati nuk është Kampionat Botëror!
15.07.2024 - Në mungesë të fondeve të nevojshme për të organizuar Kampionatin Kombëtar dhe Kupën e Shqipërisë në "Telegrafi - Shpejtësi e Lartë" fillimisht më 13-14 prill 2024, më vonë më 18-19 maj 2024, e pastaj më 16-17 gusht 2024, FSHR merr vendimin për ti shtyrë këto aktivitete të rëndësishme për më 5-6 tetor 2024.
10.06.2024 - Kampionati Botëror "Telegrafi - Shpejtësi e lartë" do të zhvillohet më 9-13 tetor në Nabeul, Tunisi. Pjesëmarrja në këtë kampionat që zhvillohet për herë të parë në kontinentin afrikan dhe përfaqësimi i FSHR varet nga fondet në dispozicion që Ministria e Arsimit dhe Sportit me buxhetin e shtetit do akordojë për FSHR, apo edhe nga donatorë të mundshëm. FSHR ka hapur për këtë qëllim edhe një GoFundMe në adresën https://www.gofundme.com/f/albania-amateur-radio-20th-iaru-hst-world-champ si dhe ka futur kodin QR në kokën e faqes së internetit - shpërndajeni këtë QR-Code!
01.06.2024 - Më 28-30 qershor 2024 zhvillohet në Friedrichshafen, Gjermani i organizuar nga DARC, HAM RADIO 2024 International amateur radio exhibition që është ndër eventet më të mëdha të radioamatorëve në Evropë. Në mungesë të fondeve të MAS nga buxheti i shtetit, Florian ZA5G dhe Fatmir ZA1RR përfaqësojnë FSHR-në me shpenzime personale.
30.05.2024 - Në mungesë së reagimit nga MAS - Ministria e Arsimit dhe Sportit në lidhje me shpërblimet e sportistëve radioamatorë në lidhje me Kampionatin Botëror, FSHR kontakton studio ligjore dhe juristë për mbështetjen e kërkesës së ligjshme të sportistëve radioamatorë që nqs e nevojshme edhe në rrugë ligjore.
04.04.2024 - Bazuar në Ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”, i ndryshuar me VKM Nr.789 dt. 15.12.2021 për “Kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, dhe trajnerëve të tyre” e në mungesë së përgjigjes pozitive nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, përsëritet kërkesa me afat për shpërblimet e spotistëve radioamatorë në lidhje me Kampionatin Botëror HST 2023.
03.04.2024 - Në mungesë të fondeve të nevojshme për të organizuar Kampionatin Kombëtar dhe Kupën e Shqipërisë në "Telegrafi - Shpejtësi e Lartë" fillimisht më 13-14 prill 2024 e pastaj më 18-19 maj 2024, FSHR merr vendimin për ti shtyrë këto aktivitete të rëndësishme për më 16-17 gusht 2024.
27.03.2024 - Mbyllja e bilancit të vitit 2023 dhe dorëzimin e tij organeve tatimore bëhet brenda afateve ligjore. Kërkesa e FSHR-së për pezullimin e Taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe Taksës për tarifën e pastrimit meqë FSHR s'ka as seli reale fizike por virtuale për NIPT-in e s'ka patur ndonjëherë të punësuar apo fonde fikse përmes MAS nga buxheti shtetit, Bashkia Tiranë u përgjigj me anë të telefonit që nuk mund ta marrin parasysh kërkesën!
27.03.2024 - Bazuar në Ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”, i ndryshuar me VKM Nr.789 dt. 15.12.2021 për “Kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, dhe trajnerëve të tyre” e ligjit nr. 105/2020, pika 4, 6, 9, 15, 16 dhe 17 për veprimtaritë Kombëtare Zyrtare, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit i kërkon Bashkive të Elbasanit dhe Krujës zbatimin e ligjit në lidhje me shpërblimet e sportistëve radioamatorë elitarë për rezultatet e shkëlqyera gjatë vitit 2023 dhe veçanërisht në Kampionatin Kombëtar.
14.02.2024 - Bazuar në Ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”, i ndryshuar me VKM Nr.789 dt. 15.12.2021 për “Kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, dhe trajnerëve të tyre”, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit, pas përgjigjes negative të MAS, i kërkon në mënyrë të përsëritur Ministrisë së Arsimit dhe Sportit shpërblimet e sportistëve radioamatorë elitarë dhe trajnerëve të tyre për rezultatet e shkëlqyera gjatë vitit 2023 dhe veçanërisht për Kampionatin Botëror HST 2023.
20.12.2023 - FSHR përpilon dhe dërgon relacionet narrative të aktiviteteve MAS, KOKSH si dhe organeve tjera shtetërore.
05.12.2023 - Bazuar në Ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”, i ndryshuar me VKM Nr.789 dt. 15.12.2021 për “Kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë, dhe trajnerëve të tyre”, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit i kërkon Ministrisë së Arsimit dhe Sportit shpërblimet e sportistëve radioamatorë elitarë dhe trajnerëve të tyre për rezultatet e shkëlqyera gjatë vitit 2023 dhe veçanërisht për Kampionatin Botëror HST 2023.
16.12.2023 - Federata Shqiptare e Radioamatorizmit zhvillon në Tiranë Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme.
15.11.2023 - FSHR njofton mbajtjen e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme.
09-13.09.2023 - Ekipi Kombëtar i Shqipërisë me mbështetjen kryesisht të KOKSH - Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe pjesërisht të MAS - Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me një ekip të përbëre nga 6 sportistë radioamatorë elitarë, mori pjesë në Kampionatin Botëror të 19-të të IARU HSTWC 2024 në Primorsko, Bullgari ku u rendit në vendin e 6-të, ndërsa rezultatet individuale të sportistëve në garat e disiplinave përkatëse ishin nga vendi i 3-të deri në vendin e 9-të në botë.
02-03.09.2023 - FSHR me mbështetjen financiarë të MAS - Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, organizon në Elbasan Kampionatin e 6-të Kombëtar të Radioamatorizmit dhe Kupën e Shqipërisë në "Telegrafi - Shpejtësi e Lartë". Titullin Kampione e Vendit për Femra e meritoi znj. Anila Shati e ekipit të Radio-Sport Elbasanit ndërsa Titullin Kampion i Vendit për Meshkuj e fitoi z. Kujtim Çela i ekipit të Radio-Sport Krujës. Kupën e Shqipërisë në Radioamatorizëm "Telegrafi - Shpejtësi e Lartë" e meritoi ekipi Radio-Sport Burreli, kurse RadioKlub Partizani e Radio-Sport Kruja u renditën përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë.
01.08.2023 - Federata Shqiptare e Radioamatorizmit do të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Botëror të 19-të "High Speed Telegraphy" - HSTWC (High Speed Telegraphy World Championship që organizon IARU (Internation Amateur Radio Union) më 9-13 shtator në Primorsko, Bullgari me disa nga sportistët radioamatorë që në Kampionatin Kombëtar "Telegrafi Shpejtësi e Lartë" do të kenë rezultatet më të larta. Detajet e hollësishme për këtë aktivitet do tu komunikohen sportistëve pjesëmarrës pas Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në "Telegrafi Shpejtësi e Lartë" që do të zhvillohet në Elbasan më 2-3.09.2023. Numri i pjesëmarrësve në Botëror varet nga fondet në dispozicion të MAS dhe KOKSH.
14-18.09.2022 - Ekipi Kombëtar i Shqipërise i përbëre me 8 sportistët radioamatorë të FSHR e i financuar nga KOKSH - Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, edhe pse në kohë të vështira të pandemisë Covid, mori pjesë në Kampionatin e 18-të Botëror të IARU HSTWC në Sokobanja, Serbi ku zuri vendin e 5-të nga 13 vende pjesëmarrëse.
10-14.09.2021 - Ekipi Kombëtar i Shqipërise i përbëre me 7 sportistët radioamatorë të FSHR e i financuar nga KOKSH - Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, edhe pse në kohë të vështira të pandemisë Covid, mori pjesë në Kampionatin e 17-të Botëror të IARU HSTWC në Herzeg Novi, Mali i Zi ku zuri vendin e 6-të nga 21 vende pjesëmarrëse.
13-17.09.2019 - Ekipi përfaqësues i FSHR për mungesë fondesh nuk arriti të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të 16-të IARU HSTWC në Albena, Bullgari.
01-05.05.2019 - Ekipi Kombëtar i Shqipërise i përbëre me 7 sportistët radioamatorë të FSHR ei financuar nga KOKSH - Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, mori pjesë në Kampionatin Ballkanik dhe atë Evropian në Bukuresht, Rumani, duke fituar 8 medalje bronzi e 1 medalje argjendi, u rendit vendi i 3-të në Ballkan dhe vendi i 5-të në Evropë.
01-12.10.2018 - Federata Shqiptare e Radioamatorizmit aktivizoi radioamatorët e rinj kryesisht nga Elbasani, në veprimtarinë që organizuan RadioKlub Shkodra së bashku me RadioKlub Graz, Austri gjatë kampionatit Marconi në banden 2m dhe për herë të parë në aktivizimin e Shqipërisë në komunikimin EME (Earth-Moon-Earth) - Tokë-Hënë-Tokë kryesisht me Evropën por edhe me Azinë, Afrikën dhe Amerikën, duke pasuruar njohuritë me komunikimet telemetrike, digjitale dhe Telegrafi përmes Hënës.
25-29.08.2018 - Ekipi përfaqësues i FSHR për mungesë fondesh nuk arriti të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të 15-të IARU HSTWC në Astana, Kazakistan.
08-12.09.2017 - Ekipi përfaqësues i FSHR për mungesë fondesh i përbërë vetëm me tre sportistë radioamatorë të vetëfinancuar, mori pjesë në Kampionatin Botëror të 14-të IARU HSTWC në Esztergom, Hungari ku zuri vendin e 7-të nga 26 vende pjesëmarrëse.
21-25.09.2016 - Ekipi përfaqësues i FSHR për mungesë fondesh nuk arriti të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të 13-të IARU HSTWC në Igalo, Mali i Zi.
09-13.09.2015 - Ekipi përfaqësues i FSHR për mungesë fondesh i përbërë vetëm me tre sportistë radioamatorë të vetëfinancuar, mori pjesë në Kampionatin Botëror të 12-të IARU HSTWC në Ohër, Maqedoni ku zuri vendin e 15-të ndër 24 vende pjesëmarrëse.
15-17.05.2015 - Ekipi përfaqësues i FSHR për mungesë fondesh i përbërë vetëm me dy sportistë radioamatorë të vetëfinancuar, merr pjesë në Kampionatin Ballkanik të HST në Zvilajnac, Serbi.
Prill 2015 - Bëhet riorganizimi i Federatës si dhe zgjedhjet për Presidentin, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Komitetin Ekzekutiv.
09.02.2005 - Federata Shqiptare e Radioamatorizmit regjistrohet edhe në Gjykatën e rrethit Tiranë.
viti 1952 - shënon themelimin e Federatës Shqiptare të Radioamatorizmit.