RADIOAMATORIZMI ËSHTË SHUMËLLOJSHMËRI VEPRIMTARISH


Veprimtari sportive dhe sport për mendjen, aftësitë dhe karakterin
Sipas përkufizimit ndërkombëtar, sporti është një aktivitet që përfshin përpjekje fizike të kombinuara me aftësi mendore, ku individë ose ekipe garojnë për sfidë dhe arritje.
Radioamatorizmi është një sport teknik i mirëfilltë, i strukturuar dhe i njohur ndërkombëtarisht. Ai përfshin të gjithë anëtarët, pa përjashtim, në gara sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, individuale dhe ekipore, të bazuara në rregulla të standardizuara dhe sisteme vlerësimi të njohura globalisht.
Aktivitetet dhe garat radioamatore kërkojnë:
- përqendrim të lartë;- reagim të shpejtë;
- qëndrueshmëri dhe durim;
- planifikim dhe strategji.
Në këtë sport nuk fiton forca fizike, por dija, shpejtësia e mendimit dhe aftësia për të vepruar saktë nën presion. Radioamatorizmi zhvillon karakterin, disiplinën dhe përgjegjësinë personale.
Veprimtari tekniko‑shkencore
Radioamatorizmi mbështetet në parimet shkencore të fizikës, elektronikës dhe elektromagnetizmit. Ai përfshin studimin, ndërtimin dhe përdorimin e pajisjeve elektronike dhe radio‑komunikuese, si dhe zbatimin e njohurive të telekomunikacionit, përpunimit të sinjalit dhe teknologjive digjitale. Radioamatorizmi nxit eksperimentimin teknik dhe kërkimin shkencor në fushën e komunikimeve, duke kontribuar në zhvillimin, testimin dhe përmirësimin e teknologjive të reja.
Veprimtari edukative
Radioamatorizmi zhvillon aftësitë STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë) dhe shërben si një mjet arsimor jo‑formal për të rinjtë dhe të rriturit. Ai zhvillon aftësi teknike, analitike dhe shkencore, edukon për përdorimin e përgjegjshëm të teknologjisë dhe spektrit radio, si dhe nxit vetë‑aftësimin, disiplinën dhe etikën e komunikimit. Radioamatorizmi mbështet gjithashtu përgatitjen profesionale në fushat teknike dhe inxhinierike.
Ndihmë komunitare dhe shërbim publik jo‑fitimprurës
Radioamatorizmi siguron komunikim emergjent në raste krizash dhe fatkeqësish natyrore, duke mbështetur institucionet publike dhe komunitetin në situata të jashtëzakonshme. Ai ushtrohet mbi baza vullnetare dhe jo‑fitimprurëse, promovon solidaritetin shoqëror dhe përgjegjësinë qytetare dhe përbën një pjesë të rëndësishme të sigurisë civile dhe komunikimit alternativ në shumicën e vendeve perëndimore.
Roli në situata emergjente
Radioamatorizmi nuk është vetëm sport apo hobi – ai përbën një shërbim publik me vlerë jetike. Në raste black‑out‑esh, fatkeqësish natyrore, ndërprerjesh të energjisë elektrike, dështimi të rrjeteve të telefonisë dhe internetit apo krizash të tjera, radioamatorët sigurojnë lidhje të pavarura dhe funksionale komunikimi, duke transmetuar informacione urgjente dhe kritike drejt autoriteteve dhe shërbimeve të emergjencës. Në këtë mënyrë, ata kontribuojnë drejtpërdrejt në menaxhimin e emergjencave dhe shpëtimin e jetëve njerëzore.
Aktivitetet dhe angazhimi i radioamatorëve
Radioamatorët trajnojnë dhe përmirësojnë vazhdimisht njohuritë e tyre në fushat e radios, elektronikës bazë dhe informatikës; mësojnë rregullat dhe mënyrat e komunikimit me valë; krijojnë lidhje miqësore me radioamatorë nga e gjithë bota; si dhe marrin pjesë në gara të kategorive të ndryshme, në ambiente të mbyllura dhe të hapura. Një veçori e rëndësishme është se të gjitha këto aktivitete realizohen pa përdorimin e smartphone‑ve apo internetit, duke u mbështetur ekskluzivisht në teknologjinë radio.
Grupimet e operatorëve radioamatorë – klube, shoqata, organizata dhe federata – organizojnë një gamë të gjerë aktivitetesh, ndër të cilat:
- ARDF (Amateur Radio Direction Finding) / Fox Hunting - gara orientimi dhe gjetjeje të transmetuesve të fshehur në terren;
- SOTA (Summits On The Air) - aktivizimi radio i majave kodrinore dhe malore;
- POTA (Parks On The Air) - aktivizimi radio i parqeve kombëtare;
- COTA (Castles On The Air) - aktivizimi radio i kështjellave dhe monumenteve historike;
- IOTA, BOTA, ARISS, WWFF dhe shumë programe të tjera ndërkombëtare;
- Kampionatet Botërore të HF‑së, të organizuara nga IARU dhe organizata tjera ndërkombëtare;
- HSTWC (High Speed Telegraphy World Championship) - Kampionati Botëror i Telegrafisë me Shpejtësi të Lartë.
Radioamatorët marrin pjesë në këto aktivitete në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar, si individualisht ashtu edhe në ekipe, duke zhvilluar aftësi teknike, sportive, edukative dhe shoqërore.
Tradita e Radioamatorizmit dhe rëndësia historike
Deri në fund të shekullit të kaluar, komunikimet tokësore, detare dhe ajrore realizoheshin kryesisht përmes telegrafisë, e cila përbënte bazën e sistemeve të komunikimit në mbarë botën. Edhe sot, telegrafia përdoret në fusha të specializuara si telemetria, transmetimi i të dhënave meteorologjike (satelit‑tokë dhe satelit‑det), komunikimet e emergjencës, si dhe në struktura ushtarake dhe shërbime të tjera kritike, për shkak të besueshmërisë dhe efikasitetit të saj.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njësitë MARINES përfshijnë struktura të specializuara të njohura si Shërbimet Radioamatore të Marinës, të cilat bashkëpunojnë me radioamatorët civilë për sigurimin e komunikimeve emergjente. Një rol i veçantë i radioamatorizmit vërehet edhe në Stacionin Orbital Hapësinor Ndërkombëtar (ISS), ku NASA siguron që astronautët të jenë operatorë radioamatorë të licencuar për komunikime emergjente në rast avarish të sistemeve kryesore.
Kush është radioamatori?
Radioamatori është një person që, pasi është përgatitur në fushat e elektroteknikës, informatikës, rregullave dhe legjislacionit për radiokomunikimet, ka kaluar me sukses provimin për patentën e operatorit radioamator dhe ka marrë autorizimin zyrtar (lejen e transmetimit). Ky autorizim i jep të drejtën të komunikojë me radio me persona të tjerë të autorizuar ligjërisht, pra me radioamatorë.
Komunikimet realizohen në bandat e frekuencave të përcaktuara me ligj, për Shqipërinë nga AKEP - Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, në bashkëpunim dhe koordinim me ITU - Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, i cili përcakton ndarjen globale të brezave të frekuencave.
AKEP është institucioni shtetëror shqiptar që, pas provimit për patentën e operatorit radioamator, u lëshon radioamatorëve shenjën e thirrjes dhe lejen e transmetimit. Me këtë leje, operatorët radioamatorë njihen në mënyrë unike në të gjithë botën dhe autorizohen të operojnë në bandat, frekuencat dhe mënyrat e operimit të përcaktuara për Shqipërinë, rajonin dhe nivelin global.
Pse “amator” nuk do të thotë thjesht “hobi"?!
Disa mund ta mendojnë radioamatorizmin thjesht si një hobi, duke u nisur nga fjala “amator”, por ky është një perceptim tepër sipërfaqësor dhe krejtësisht i gabuar. Termi “amator” nuk nënkupton mungesë profesionalizmi. Përkundrazi, ai tregon se shërbimi radioamator historikisht nuk kryhet për përfitim financiar, por ofrohet vullnetarisht dhe në shërbim të komunitetit.
Radioamatorët kontribuojnë me përgjegjësi të plotë dhe njohuri të thelluara teknike në ruajtjen e komunikimeve veçanërisht në kohë emergjencash civile, duke ofruar një shërbim me rëndësi jetike.
Federata Shqiptare e Radioamatorizmit
Federata Shqiptare e Radioamatorizmit (FSHR), e themeluar në vitin 1952, është organizmi më i lartë përfaqësues i sportit të radioamatorizmit në Shqipëri. FSHR, në bashkëpunim me shoqatat dhe radio‑klubet sportive në rrethe:
- organizon gara dhe aktivitete sportive, teknike dhe edukative;
- mbështet aftësimin dhe përfshirjen e të rinjve;
- ndihmon në përmirësimin dhe përditësimin e njohurive të radioamatorëve;
- koordinon veprimtarinë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Strukturat organizative dhe bashkëpunimi
Klubet dhe organizatat radioamatore lokale përbëjnë bazën organizative dhe edukative të radioamatorizmit. Ato ofrojnë mentorim teknik, përdorim të pajisjeve të përbashkëta, kurse për përgatitjen e provimeve dhe aktivitete të shumta në terren (Field Day).
Në nivel ndërkombëtar, organizata si IARU, në bashkëpunim me ITU, autoritetet rregullatore dhe federatat kombëtare, koordinojnë ndarjen e frekuencave, harmonizojnë rregulloret dhe mbështesin gara dhe aktivitete ndërkombëtare.
Rrjetet e emergjencës si ARES dhe RACES organizojnë trajnime të specializuara për komunikim në situata krize, duke siguruar komunikim të pavarur dhe të besueshëm dhe duke kontribuar drejtpërdrejt në sigurinë publike dhe mbrojtjen e jetës njerëzore.
Disa foto nga aktivitete te ndryshme
Ekipi Kombëtar në Kampionati ballkanik High Speed Telefraphy
Operimi ne Telegrafi gjatë një kontesti
Tasto e thjeshtë telegrafie e bërë me mjete rrethanore
EME ZA5V në vitin 2018: Testim i radiove dhe antenave përpara operimit
Grupi i operimit EME (earth-moon-earth) me shenjë thirrjeje ZA5V në vitin 2018 së bashku me radioamatorët e rinj