Dita Botërore e Radioamatorëve - World Amateur Radio Day
HF/VHF/UHF/SHF Contests - Garat në HF/VHF/UHF/SHF

Në sportin e radioamatorizmit zhvillohen një numër i madh garash të ndryshme (contests). Në fakt, pothuajse çdo fundjavë organizohet të paktën një garë, shpesh ka edhe disa gara të cilat zhvillohen njëkohësisht. Këto aktivitete planifikohen kryesisht gjatë fundjavave, në mënyrë që të kenë mundësi të marrin pjesë sa më shumë radioamatorë në kohën e tyre të lirë.

Garat dallohen sipas mënyrës së operimit si SSB, CW, Digital, Mix, etj.. Disa prej tyre janë të kufizuara rajonalisht, por të gjitha kanë një qëllim të përbashkët: të nxisin rritjen e pjesëmarrjes dhe të promovojnë aktivitetin në brezat e radioamatorëve.

Shumica e garave organizohen nga shoqatat dhe federatat kombëtare, prandaj edhe organizimi, vlerësimi dhe shpallja e fituesve kryhen prej tyre. Shembuj tipikë janë ARRL në SHBA, UBA në Belgjikë, DARC në Gjermani, ARI në Itali dhe FSHR në Shqipëri. Përveç tyre, ekzistojnë edhe shoqata ose grupime më të vogla, si AGCW, si dhe botime të specializuara, si revista amerikane CQ Magazine, e cila organizon gara të njohura për radioamatorët, si CQ, CQ WW dhe CQ WPX.

Garat me karakter botëror quhen Kampionate Botërore dhe organizohen kryesisht nga IARU (International Amateur Radio Union).

Federata Shqiptare e Radioamatorizmit mbështet dhe ndihmon sportistët radioamatorë me të gjitha mjetet në dispozicion, për t’u mundësuar pjesëmarrjen në aktivitetet kryesore radioamatoriale të publikuara në kalendarin vjetor, në adresën FSHR Kalendari aktiviteteve 2025.

Sigurisht që Kampionati Kombëtar, Kupa e Shqipërisë, Kampionati Evropian dhe Kampionati BotërorTelegrafi – Shpejtësi e Lartë kanë prioritet, por inkurajohet gjithashtu pjesëmarrja e sportistëve radioamatorë në të gjitha aktivitetet e tjera. Gjithashtu, Klubet Sportive Radioamatore në të gjitha rrethet, si edhe radioamatorët individualë, nxisen të marrin pjesë në aktivitetet dhe garat e tjera sportive që organizohen nga klubet, shoqatat dhe federatat sportive radioamatoriale në Europë dhe në mbarë botën.

WA7BNM vë në dispozicion kalendarin e të gjithë aktiviteteve radioamatoriale në faqen https://www.contestcalendar.com/contestcal.html - konsultojeni këtë kalendar që të planifikoni pjesëmarrjen në aktivitete e gara të tjera.