Dita Botërore e Radioamatorëve - World Amateur Radio Day

Njoftime

14.10.2025Ekipi Kombëtar përfaqësues i Shqipërisë në sportin e radioamatorizmit në Kampionatin e 21‑të Botëror të IARU High Speed Telegraphy, tashmë përbëhet nga katër pjesëmarrës: Glauk Gjini dhe Desara Dani, të dy anëtarë të Radio‑Sport Burreli; znj. Zhulieta Hoti, kryetare dhe trajnere e ekipit të Radio‑Sport Burreli; si dhe z. Kujtim Çela, ZA4KC, kryetar i Radio‑Sport Kruja dhe Kampion i Shqipërisë. Ata do të konkurrojnë në katër kategori sipas moshave në të gjitha garat dhe do të shoqërohen nga Presidenti i FSHR‑së, z. Florian Gjonej, ZA5G. Transporti për grumbullimin e anëtarëve u organizua sot nga z. Andi Kola, ZA5D, kryetar i RadioKlub Shkodra.

Urojmë anëtarëve të ekipit suksese!

13.10.2025Pas dy javësh përpjekjesh dhe pune të madhe organizative për parapërgatitjet e pjesëmarrjes në Kampionatin e 21‑të Botëror të IARU High Speed Telegraphy, që do të zhvillohet më 15-19 tetor në Igalo, Herceg Novi, Mal i Zi, me keqardhje njoftojmë që katër nga sportistët e planifikuar dhe të regjistruar për gara u tërhoqën nga pjesëmarrja për arsye të ndryshme organizative personale. Falënderojmë Presidentin e KOKSH, z. Fidel Ylli, për bluzat e dhuruara për ekipin, si dhe veçanërisht kompaninë Deltarex Sh.P.K., që mbështeti ekipin kombëtar duke dhuruar 50,000 Lekë (afërsisht 510 €) për përfaqësimin në Kampionatin Botëror.

30.09.2025Në mbledhjen e Kryesisë së FSHR, Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej, theksoi ndër të tjera se, për shkak të mungesës së fondeve nga MAS dhe KOKSH në lidhje me mbështetjen financiare për Kampionatin e 21-të Botëror të IARU High Speed Telegraphy, që do të zhvillohet më 15–19 tetor në Mal të Zi, pjesëmarrja ka kosto relativisht të larta. Ai propozoi që ato pak fonde të arkës të përdoren për aktivitetet e ardhshme: Contestet Botërore në SSB në fund të muajit tetor dhe në CW në fund të muajit nëntor, për Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme në dhjetor 2025, si dhe për Ditën Botërore të Radioamatorëve në prill 2026. Ky propozim nuk u mirëprit nga anëtarët pjesëmarrës, znj. Elvira Shërali, z. Jorgo Gjoni dhe z. Kujtim Çela. Propozimi tjetër ishte që FSHR të marrë përsipër kostot e të rinjve pjesëmarrës nga kategoritë A, B dhe C, ndërsa shuma e mbetur të përdoret për likuidimin e pjesshëm të shpenzimeve të pjesëmarrjes, sigurimeve shëndetësore, transportit etj. Të gjithë pjesëmarrësit garues dhe shoqëruesit do të mbulonin pjesërisht shpenzimet e tjera personale. Ky propozim u mirëprit nga shumica e anëtarëve pjesëmarrës.

Në vijim të mbledhjes, z. Andi Kola (ZA5D) propozoi krijimin e një crowdfunding-u për mbledhjen e fondeve për Kampionatin Botëror, i cili u hap menjëherë online në https://gofund.me/f4ebdff6d - ju lutem shperndajeni atë në të gjitha mediat tuaja sociale e bëjini share!

30.09.2025Presidenti i KOKSH, z. Fidel Ylli, bëri të ditur se, për shkak të mungesës së fondeve dhe vështirësive financiare brenda institucionit, KOKSH nuk mund të mbështesë financiarisht përfaqësimin e Shqipërisë në Kampionatin e 21-të Botëror të IARU High Speed Telegraphy, që do të zhvillohet më 15–19 tetor në Mal të Zi.

24.09.2025Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), zhvilloi një takim të shkurtër pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe dorëzoi sërish një kërkesë për mbështetje financiare për përfaqësimin e Shqipërisë në Kampionatin e 21-të Botëror të IARU High Speed Telegraphy, që do të zhvillohet më 15–19 tetor në Mal të Zi. Gjatë takimit, Presidenti i KOKSH, z. Fidel Ylli, theksoi se FSHR duhet të përfaqësohet patjetër, të paktën me një ekip të reduktuar.

18.09.2025Ministria e Arsimit dhe Sportit, iu përgjigj kërkesës së përsëritur të presidentit të FSHR-së, duke sqaruar se projektet për fondin GRANT, për mbështetjen e pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror, paraqiten në muajin janar. Pas ballafaqimit me faktin se, në janar, në protokollin e MAS ishin dorëzuar tetë projekte - ndër të cilat edhe kërkesa për mbështetje të përfaqësimit të Shqipërisë në Kampionatin Botëror - përgjigjja e MAS ishte se tashmë nuk kishte më fonde të tjera në dispozicion.

13-14.09.2025Me mbështetjen financiare shumë modeste të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, nga fondi GRANT, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit organizoi në Burrel Kampionatin e 8-të Kombëtar të Radioamatorizmit dhe Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë” për vitin 2025.

Titullin Kampione e Vendit për Femra e fitoi znj. Mimoza Balliu (ZA1MB), e ekipit “Radio-Sport Elbasani”, ndërsa titullin Kampion i Vendit për Meshkuj e mori z. Kujtim Çela (ZA4KC), i ekipit “Radio-Sport Kruja”. Garat individuale u zhvilluan në pesë kategori, me pjesëmarrjen e 18 sportistëve radioamatorë. Kupa e Shqipërisë, me disa sportistë të rinj në përbërje, u fitua nga ekipi “Radio-Sport Burreli”.

12.09.2025U zhvillua një takim pune i frytshëm mes FSHR-së, të përfaqësuar nga presidenti z. Florian Gjonej (ZA5G) dhe trajneri i Ekipit Kombëtar, z. Fatos Demeti (ZA1F), klubit sportiv radioamator “Radio-Sport Burreli”, të përfaqësuar nga kryetarja znj. Zhulieta Hoti, si dhe Bashkisë Burrel, të përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm z. Elson Reçi, lidhur me pranimin e “Radio-Sport Burreli” në Klubin Shumësportesh të Bashkisë Burrel. Një takim i veçantë u zhvillua gjithashtu edhe me Drejtorin e Sporteve në Bashkinë Burrel z. Armando Koci.

01.09.2025Për të tretin vit radhazi, Organizata Kombëtare Antidoping (OKAD) ka kthyer përgjigje negative, duke theksuar se veprimtaritë e FSHR-së nuk janë të planifikuara nga OKAD dhe se OKAD nuk është përgjegjëse për kryerjen e analizave antidoping të sportistëve radioamatorë gjatë veprimtarive ndërkombëtare jashtë vendit.

Me këtë rast, presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), i ka kërkuar OKAD-it të marrë masat e nevojshme për vitin 2026.

18.08.2025Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), lëshoi urdhër-vendimet për preventivat e shpenzimeve dhe likuidimet për Kampionatin e 8-të Kombëtar dhe Kupën e Shqipërisë HST-2025, të cilët ju dorëzuan Thesarit të Shtetit, për lëvrimin e fondeve GRANT të destinuara për mbulimin e shpenzimeve.

Gjithashtu, ai njoftoi Organizatën Kombëtare Antidoping (OKAD) në lidhje me zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kampionatit Botëror, duke i dërguar edhe listën emërore të sportistëve radiatorë pjesëmarrës konkurrues.

13.08.2025Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), i dërgoi IARU-së letrën e pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror IARU HSTWC-2025 dhe iu drejtua Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) me një kërkesë për mbështetje financiare për përfaqësimin e Shqipërisë në këtë kampionat që zhvillohet 15-19 tetor në Mal të Zi.

09.08.2024 - FSHR njoftoi sportistët radioamatorë të të gjitha klubeve sportive të radioamatorizmit për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”, që do të mbahen më 13-14 shtator 2025 në qytetin e Burrelit.

17.07.2025Pas disa kërkesave të përsëritura, kryetari i “Radio-Sport Tirana” dorëzoi pajisjet e marra në përdorim për zhvillimin e klasës së radioamatorizmit, e cila është mbyllur prej më shumë se dhjetë muajsh. Dorëzimi u krye në përputhje me procedurat e përcaktuara nga FSHR-ja me proçesverbal.

16.06.2025 - Radioamatori amerikan Mark Clarkm W4CK pas disa ditë qëndrimi në Shqipëri dhe falë mbështetjes së anëtarëve të Radio-Sport Tirana, doli në eter me shenjën e thirrjes ZA/W4CK, drejtpërdrejt nga hoteli në Tiranë. Në shenjë mirënjohjeje dhe për të mbështetur aktivitetet e radioamatorëve shqiptarë, ai i dhuroi FSHR-së shumën prej 1 850 € (neto 1 749,93 €, pasi transferta kishte një kosto prej 100,07 €).

09-31.05.2025Federata Shqiptare e Radioamatorizmit organizoi, për pothuajse katër javë, transmetimin në eter të “Giro d’Italia in Albania”, për herë të parë me tri etapat e para të zhvilluara në Shqipëri, si stacion radioamator “Jolly” me shenjë thirrjeje ZA25GIA. Në këtë aktivitet morën pjesë sportistët radioamatorë z. Florian Gjonej (ZA5G), z. Fatos Demeti (ZA1F), znj. Elvira Shërali (ZA1EM) dhe znj. Anila Shati (ZA1AK), të renditur më sipër sipas numrit të QSO-ve të realizuara. Së bashku, ata arritën të zënë vendin e parë në renditjen e përgjithshme në disiplinat Digi dhe CW.

05.05.2025Presidenti i FSHR z. Florian Gjonej lëshon vendimet për kërkesën shenjë thirrjeje speciale ZA25GIA, orientimin proçesverbal-dorëzimi pajisjeve nga kryetari i RST-së si dhe kërkesën Gjykata Rrethit Tiranë për ndryshimet në Organet Drejtuese të FSHR.

08.04.2025Pas një periudhe të gjatë konsultimesh aktive në klubet sportive të radioamatorëve dhe në zbatim të vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, të mbajtur më 19.03.2024, kryetarët e klubeve paraqitën emrat e anëtarëve përfaqësues në Komitetin Ekzekutiv. Shprehet besimi që këta përfaqësues, këtë herë, do të punojnë në interes të të gjithë radioamatorëve dhe për të ardhmen e radioamatorizmit në Shqipëri, duke vepruar me drejtësi, saktësi, angazhim dhe objektivitet maksimal.

07.04.2025Ministria e Arsimit dhe Sportit ka lëvruar, në llogari të FSHR-së pranë Thesarit të Shtetit, shumën prej 200 000 lekësh për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë. Kjo shumë përbën vetëm rreth 4% të vlerës së kërkuar nga FSHR për 8 projektet e dorëzuara në janar 2025, në kuadër të fondit GRANT të MAS.

03.04.2025Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej, ka lëshuar urdhër-vendime që përfshijnë: likuidimin e pagesës së kuotizacioneve të KOKSH-it, pagesën e ekspertes kontabël për bilancin e vitit 2024, shlyerjen e taksave ndaj Bashkia Tiranë, lëshimin e formularit të akreditimit e propozimet për Asamblenë Zgjedhore të 31-të të KOKSH-it. Gjithashtu, është përsëritur kërkesa për dorëzimin e pajisjeve të dhëna për klasën e mbyllur prej shtatë muajsh nga RST-ja, si dhe është marrë vendimi për anëtarët e KE.

27.03.2025Pas një pune të vazhdueshme dhe këmbëngulëse, Sekretari i Përgjithshëm i FSHR-së, z. Edmond Budo (ZA1U), në bashkëpunim me eksperten kontabël, përpiluan dhe mbyllën në afat bilancin për vitin tatimor 2024.

19.03.2025Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHR-së, si pas vendimit të mëparshëm të shumicës së anëtarëve, u mblodh online, në platformën MS Teams. Në zbatim të Nenit 20, pika 1, të Statutit të FSHR-së, dhe me votimin e shumicës së thjeshtë të delegatëve, u vendos që Komiteti Ekzekutiv të përfaqësohet nga dy (2) anëtarë përfaqësues për secilin klub sportiv radioamator. Po ashtu, u ngarkuan kryetarët e klubeve sportive të paraqesin emrat e anëtarëve përfaqësues në KE.

13.03.2025Për shkak se grupi i punës për përpilimin e projekt-rregullores, bazuar në rregulloren e përdorur para viteve ’90, nuk e ka nisur ende punën, pavarësisht kërkesave të përsëritura për informacion mbi ecurinë, dhe ka kërkuar një afat shtesë prej tre muajsh, si dhe për shkak se kryetarët e klubeve sportive nuk janë ende të gatshëm për veprimtari, u vendos shtyrja e zhvillimit të Kampionatit të 8-të Kombëtar për datat 21–22 qershor 2025, me datë rezervë 26 korrik 2025.

12.03.2025 - Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), u është drejtuar me shkrim të gjithë kryetarëve të klubeve sportive radioamatorë anëtare të FSHR-së, duke kërkuar përgatitje dhe marrjen e masave për organizimin e veprimtarive lokale me rastin e Ditës Botërore të Radioamatorizmit, më 18 prill 2025, si dhe për 100-vjetorin e krijimit të Unionit Ndërkombëtar të Radioamatorëve (IARU).

06.03.2025Në bazë të Nenit 17, pika 3, të Statutit të FSHR-së, disa anëtarë kanë kërkuar përfshirjen në rendin e ditës të diskutimit mbi problematikën e krijuar nga mosmarrëveshjet lidhur me zbatimin e saktë të rregullores së Kampionateve Kombëtare dhe Kupës së Shqipërisë në disiplinën “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë”, si dhe mbi pengesat e krijuara në punën e KE nga individë të paaftë. Duke marrë në konsideratë se aktualisht mbi 50% e përbërjes së KE-së janë anëtarë të të njëjtit klub sportiv radioamator Radio-Sport Elbasani, e që mund të jenë të ndikuar nga individë me qëllime personale apo të kenë konflikte interesi dhe/ose të jenë nën presione të ndryshme, është propozuar që në të ardhmen KE-ja të përfaqësohet në mënyrë të barabartë dhe të drejtë nga një (ose dy) anëtarë për secilin klub sportiv radioamator.

23.02.2025Pavarësisht qëndrimit të bërë të qartë në mënyrë të përsëritur ndaj veprimeve të Martti Laine (OH2BH), të cilat kanë ndikuar negativisht në sportin e radioamatorizmit në shumë vende të botës, veçanërisht në Shqipëri dhe më pas edhe në Kosovë, me nismën e z. Fatmir Elezi (ZA1RR), kryetar i “Radio-Sport Tirana”, së bashku me z. Fatos Demeti (ZA1F), znj. Elvira Shërali (ZA1EM), kryetare e “Radio-Sport Elbasani”, z. Kujtim Çela (ZA4KC), kryetar i “Radio-Sport Kruja”, si dhe znj. Anila Shati (ZA1AK) dhe znj. Mimoza Balliu (ZA1MB), të dyja radioamatore të “Radio-Sport Elbasani”, u zhvillua në Prishtinë një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Radioamatorëve të Kosovës, me synimin për të organizuar në të ardhmen veprimtari të përbashkëta me personin e sipërpërmendur.

Presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), përgëzoi të gjitha veprimtaritë që inkurajojnë dhe ndihmojnë në zhvillimin e brezave të rinj dhe të sportit të radioamatorizmit në tërësi, por dënoi veprimet e tilla të ndërmarra për arsye personale dhe interesa të ngushta, sepse këto gjëra kanë ndodhur 3t vitet e fundit rregullisht, ë cilat, sipas tij, nuk sjellin asnjë të mirë për sportin e radioamatorizmit në Shqipëri dhe në Kosovë, por vetëm e dëmtojnë dhe e pengojnë zhvillimin e tij dhe afrimin e të rinjve!

20.02.2025 - Pas shumë kërkesave të përsëritura gjatë dy viteve të fundit, kjo datë u përcaktua si afati i fundit për kryetarët e klubeve sportive radioamatorë për mbledhjen e kuotave simbolike të anëtarësimit të prapambetura nga vitet 2023 dhe 2024, si dhe të kuotave për vitin 2025 për sportistët radioamatorë që kërkojnë të federohen.

04.02.2025Me kërkesë të disa anëtarëve që mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FSHR-së të zhvillohej “ballë për ballë” dhe “sy për sy”, u organizua sot në Tiranë një takim fizik. Sipas kërkesës së tyre, ky format do t’u mundësonte të shprehnin më mirë mendimet dhe shqetësimet, megjithëse nuk kishin paraqitur paraprakisht asnjë pyetje apo ndonjë kërkesë me shkrim. Gjatë mbledhjes, në vend që të diskutoheshin çështjet e parashtruara të rendit të ditës si të shumta dhe me rëndësi për sportin e radioamatorizmit, biseda u devijua në tema të parëndësishme dhe me karakter personal, pa vlerë konkrete për komunitetin e radioamatorëve apo zhvillimin e sportit të radioamatorizmit. Për deklaratat e pavërteta dhe akuzat e bëra nga disa anëtarë, ju kërkua atyre që ato patjetër të paraqiteshin me shkrim, përndryshe konsiderohen shpifje.

Gjithashtu, dy anëtarë shprehën pretendimin se rregullorja e Kampionatit Kombëtar në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë” e miraturar në korrik 2023 dhe ajo e IARU-së ishin të pavlefshme dhe duhej të zëvendësoheshin. Ata u ngarkuan të hartonin një projekt-rregullore, siç dëshironin bazuar në modelet para ndryshimeve politike në Shqipëri, kur një sportisti radioamator i nevojiteshin të paktën dhjetë vite pjesëmarrje për të arritur kualifikimin në kampionat. Projekti do të shqyrtohet në një mbledhje të ardhshme.

31.01.2025 - Në bazë të thirrjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për projekte në fushën e sportit, për fondin GRANT për federatat jo-olimpike, FSHR dorëzoi pranë protokollit të MAS, me nr. prot. 1334, formularin e aplikimit me 8 projekte gjithëpërfshirëse, të dedikuara për të gjitha grupmoshat dhe për të gjitha fushat e disiplinat kryesore të sportit të radioamatorizmit, si për vitin 2025 ashtu edhe në kuadër të një plani afatgjatë për klubet sportive të radioamatorëve në rrethe.
25.01.2025 - U publikua njoftimi mbi dy gara të rëndësishme ndërkombëtare: 1. BALKAN HF Contest 2025 – Edicioni i 12-të, që do të zhvillohet më 9 shkurt 2025, nga ora 13:00 deri në 17:00 UTC, në bandat 40 m dhe 80 m, në modalitetet CW dhe SSB. Informacione të detajuara gjenden në faqet WA7BNM Contest Calendar dhe të BFRA dhe 2. CQ WW RTTY WPX Contest – Kampionati botëror në RTTY, që do të zhvillohet nga e shtuna, 8 shkurt 2025, ora 00:00 UTC, deri të dielën, 9 shkurt 2025, ora 23:59 UTC, në bandat 80 m, 40 m, 20 m, 15 m dhe 10 m, në modalitetin RTTY. Rregullat e pjesëmarrjes janë të publikuara në faqen zyrtare CQ WPX RTTY.
22.01.2025 - Rezultatet e mbledhjes së një dite më parë të Komitetit Ekzekutiv të FSHR-së, si dhe shpjegimet e detajuara mbi dinamikën e krijuar gjatë Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë HST 2024 në lidhje me rezultatet ekipore, do të përgatiten në një dokument të veçantë për t’u shpërndarë tek të gjithë radioamatorët dhe institucionet përkatëse. Gjithashtu, do të merren masat e nevojshme ndaj personave që pengojnë zhvillimin e sportit të radioamatorizmit.

21.01.2025 - Pretendimet e disa anëtarëve se mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FSHR-së duhet të zhvillohet patjetër “ballë për ballë” ose “sy për sy”, me arsyetimin se në format online nuk arrijnë të formulojnë pyetje, kërkesa apo propozime, u vlerësuan si të pabazuara për një sërë arsyesh. Mbledhja e radhës u zhvillua sot online, në platformën MS Teams. Vlen të theksohet, se këtyre individëve do t’u krijohet patjetër mundësia për një takim fizik dhe vetëm pasi secili prej tyre të paraqesë një agjendë të qartë dhe të strukturuar të çështjeve që dëshiron të diskutojë.

16.01.2025 - Për shkak se drejtuesja znj. Elvira Shërali e trajneri z. Dervishi, të “Radio-Sport Elbasani”, edhe pas kërkesave të përsëritura, nuk kanë dorëzuar kupën e marrë më 06.10.2024 - e pamerituar, pasi nga përllogaritja e re e rezultateve ekipore, sipas rregullores, ekipi i Elbasanit në radioamatorizëm kalon në vendin e dytë - presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej, kontaktoi me telefon drejtorin e Klubit Shumësportesh “Elbasani”. Gjatë bisedës, ai i shpjegoi në detaje situatën e krijuar dhe i vuri në dispozicion të gjithë dokumentacionin përkatës, përfshirë vendimet dhe kërkesat, meqë drejtuesit e klubit nuk ishin të informuar dhe/ose kishin marrë informacione të pasakta.
10.01.2025 - U përcaktua kalendari i mbledhjeve të Komitetit Ekzekutiv për vitin 2025, duke filluar nga data 21.01.2025, me zhvillim çdo gjashtë javë, ditën e martë, nga ora 18:00 deri në 19:30, në formatin online.
07.01.2025 - Pas kërkesave të përsëritura për dorëzimin e kupës së marrë më 06.10.2024, e shpallur e pamerituar për shkak të përllogaritjes së re e të saktesaktë të rezultateve ekipore sipas rregullores, ekipi i Burrelit në "Kupa e Shqipërisë 2024 në Telegrafi - Shpejtësi e Lartë", kalon në vendin e parë, e dorëzoi kupën e vendit të 2-të.

26.12.2024Federata Shqiptare e Radioamatorizmit i ka dërguar me shkrim kërkesat zyrtare klubeve “Radio-Sport Elbasani” dhe “Radio-Sport Burreli” për dorëzimin/kthimin e kupave të shpërndara më 06.10.2024 gjatë Kupës së Shqipërisë HST, pasi rezultatet e renditjes ekipore të asaj date janë shpallur të pavlefshme. Rezultatet e rishikuara, sipas rregullores, janë shpallur menjëherë pas mbledhjes më 17.10.2024 së kryetarëve të klubeve sportive radioamatorë më 18.10.2024. Meqë deri më tani kërkesat nuk janë marrë parasysh nga kryetarët e klubeve, ato do të përsëriten.

24.12.2024Procesi i votimit për përcaktimin e datës, vendit dhe mënyrës së zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme 2024 është mbyllur, pasi morën pjesë 30 votues. Me 21 vota “pro” dhe 2 vota “ndoshta”, u vendos shtyrja e Asamblesë për një periudhë më të përshtatshme, si dhe zhvillimi i saj në formatin online.

17.12.2024Meqë udhëtimi drejt Tiranës, përfshirë rrugën e kthimit dhe shpenzimet totale për pjesëmarrjen e sportistëve radioamatorë të “Radio-Sport Burreli” dhe “Radio-Sport Elbasani”, janë të papërballueshme nga vetë klubet sportive e nuk mund të mbulohen as nga FSHR-ja për shkak të mungesës së plotë të fondeve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, u vendos që votimi për përcaktimin e datës, vendit dhe mënyrës së zhvillimit të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme 2024 të mbahet online.

12.12,2024Pas disa vështirësive të hasura në gjetjen e sallës për zhvillimin e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme 2024, njoftohen të gjithë radioamatorët se ajo do të mbahet më 27 dhjetor 2024, nga ora 15:45 deri në 17:15, në Tiranë.

04.11.2024FSHR ka nisur kërkimin për salla konferences të përshtatshme për zhvillimin e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme 2024.

18.10.2024 - Bazuar në mbledhjen e datës 17.10.2024 me kryetarët e klubeve sportive radioamatorë, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit shpalli të pavlefshme rezultatet ekipore të Kupës së Shqipërisë, zhvilluar më 06.10.2024. Përllogaritja e re e rezultateve ekipore u krye duke iu përmbajtur në mënyrë rigoroze pikës B2.13 të rregullores për Kampionatet e HST-së. Me keqardhje, FSHR njoftoi me shkrim “Radio-Sport Elbasani” dhe “Radio-Sport Burreli” për dorëzimin e kupave të dhëna më 06.10.2024. Sipas renditjes ekipore të rillogaritur sipas rregullores, “Radio-Sport Burreli” kalon në vendin e parë duke fituar “Kupën e Shqipërisë 2024 në Telegrafi – Shpejtësi e Lartë”, ndërsa “Radio-Sport Elbasani” renditet në vendin e dytë.

17.10.2024 - Mosparaqitja e disa sportistëve radioamatorë gjatë Kampionatit Kombëtar në Burrel shkaktoi keqkuptime në lidhje me rregulloren e pjesëmarrjes në kategoritë përkatëse, duke sjellë pasoja si presione individuale, mosmarrëveshje dhe kontestime të rezultateve ekipore.

Pak ditë më vonë, gjatë Kampionatit Botëror, presidenti i FSHR-së diskutoi këtë problematikë me përfaqësuesit më të lartë të IARU-së, të cilët dhanë një përgjigje të qartë: lëvizjet e sportistëve midis kategorive shkaktojnë ndryshime në alokime dhe, për pasojë, kërkojnë domosdoshmërisht përllogaritje të reja për renditjen ekipore.

Për këto arsye, më 17.10.2024 u zhvillua një mbledhje me pjesëmarrjen e presidentit të FSHR-së, z. Florian Gjonej, dhe kryetarëve të klubeve pjesëmarrëse në kampionat: znj. Hoti (“Radio-Sport Burreli”), znj. Shërali (“Radio-Sport Elbasani”), z. Çela (“Radio-Sport Kruja”), z. Gjoni (“RadioKlub Partizani”) dhe z. Elezi (Shoqata Kombëtare e Radioamatorëve Shqiptarë). Qëllimi ishte shqyrtimi dhe sqarimi i rregullores, në veçanti i pikës B2.13, lidhur me kategorizimin e sportistëve gjatë Kampionatit Kombëtar.

Pas sqarimit të detajuar të pikës B2.13, të gjithë kryetarët e klubeve vendosën unanimisht që, pavarësisht plotësimit fillestar të kategorive me të paktën tre konkurrentë, për shkak të mosparaqitjes së shtatë sportistëve, përllogaritja e pikëve për Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë” duhet të bëhet veçmas, duke zbatuar rregulloren dhe për renditjen ekipore duke alokuar konkurrentët në kategoritë e tyre origjinale sipas moshës.

Në ditët në vijim, me ndihmën e IARU-së, FSHR-ja do të përllogarisë përsëri rezultatet e Kampionatit të 7-të Kombëtar dhe të Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë” dhe, në rast ndryshimesh të renditjes ekipore, do të shpallë të pavlefshme rezultatet e datës 06.10.2024, duke komunikuar rezultatet e korrigjuara brenda dy javësh.

16.10.2024 - Për shkak të mungesës së plotë të mbështetjes financiare nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) për vitin kalendarik 2024, presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej, me shpenzime personale, ka blerë më 24 shtator 2024 me faturat përkatëse kufje, tasto CW paddle, amplifikatorë dhe një switch zëri stereo. Këto pajisje dhe materiale pune e mësimi, që janë pronë e presidentit të FSHR-së derisa FSHR të ketë mundësi për ti likujduar, iu dorëzuan kryetarit të SHKRSH/“Radio-Sport Tirana”, z. Fatmir Elezi (ZA1RR), për përdorim në klasën e re të radioamatorizmit pranë Sheshit “Wilson” në Tiranë - sot për sot, e vetmja e këtij lloji e ngritur pas ndryshimeve politike në Shqipëri, e realizuar me shpenzime personale nga vetë drejtuesi i saj, për stërvitjen e sportistëve radioamatorë. FSHR i uron suksese në këtë nismë dhe fton të gjithë të interesuarit për sportin e radioamatorizmit të kontaktojnë përmes emailit, telefonit ose drejtpërdrejt në .

09-13.10.2024 - Ekipi Kombëtar i Shqipërisë, përfaqësues i FSHR-së, mori pjesë në Kampionatin Botëror të 20-të IARU HSTWC 2024, duke arritur rezultate të kënaqshme. Shpresohet që në të ardhmen sportistët radioamatorë të zhvillojnë përgatitje stërvitore të plota dhe të vazhdueshme, me synimin për të arritur rezultate edhe më të mira në kampionatet e ardhshme. Mbështetja financiare për pjesëmarrjen u sigurua nga “Radio-Sport Elbasani”, nga presidenti i FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), si dhe nga anëtari i “RadioKlub Shkodra”, z. Helidon Gjonej (ZA5H)

09.10.2024 - Ekipi Kombëtar i Shqipërisë, përfaqësues i FSHR-së, pas një udhëtimi me shumë peripeci dhe transfertash të vështira e të lodhshme, nga aeroporti i mbërritjes në Paris drejt një aeroporti tjetër në të njëjtin qytet, por 120 km larg në jug të Parisit, si dhe pas ndalimeve nga autoritetet kufitare në aeroporte, arriti më në fund të zbarkojë në Tunis, Tunizi dhe të marrë vizat tuniziane. Mbërritja në Hammamet, vendi ku zhvillohet Kampionati Botëror i 20-të IARU HSTWC 2024, u realizua pas mesnate, pas rreth 20 orësh shumë të lodhshme fluturimesh, peripecish dhe udhëtimesh.

09.10.2024 - Presidenti i KOKSH-it, z. Fidel Ylli, i dhuroi presidentit të FSHR-së, z. Florian Gjonej (ZA5G), për Ekipin Kombëtar të Shqipërisë, bluzat me logon e “Team Albania” dhe logon e FSHR-së të stampuara. Pavarësisht vonesave të mëdha të shkaktuara nga konfirmimi i vonuar i Ambasadës Tuniziane për vizat, u arrit të siguroheshin biletat e avionit me transfertë përmes dy aeroporteve franceze në Paris — një itinerar që përbën vetë një sfidë të vështirë dhe stresuese, për shkak të nevojës për të kaluar në kohë nga aeroporti i mbërritjes nga Tirana në aeroportin tjetër të nisjes për në Tunizi, i cili ndodhet rreth 120 km larg.

07.10.2024 - Pas shumë komunikimesh me njësi të ndryshme diplomatike, dy ditë para fillimit të Kampionatit Botëror të 20-të IARU HSTWC 2024, Ambasada Tuniziane në Athinë (Greqi) dhe Ambasada Tuniziane në Vjenë (Austri) konfirmuan se sportistët radioamatorë do të pajisen me vizat tuniziane menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Tunisit, Tunizi. Megjithëse shumë vonë për gjithçka, le të shpresojmë akoma për më të mirën!

05-06.10.2024 - Me mbështetjen financiare të pesë anëtarëve të “Radio-Sport Burreli”, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit organizoi në Burrel Kampionatin e 7-të Kombëtar të Radioamatorizmit dhe Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë” për vitin 2024. Titullin Kampione e Vendit për Femra e fitoi znj. Elvira Shërali, ZA1EM, e ekipit “Radio-Sport Elbasani”, ndërsa titullin Kampion i Vendit për Meshkuj e mori z. Kujtim Çela, ZA4KC, i ekipit “Radio-Sport Kruja”. Garat individuale nisën me pesë kategori të plota dhe 18 sportistë radioamatorë të regjistruar për pjesëmarrje, por për shkak të mosparaqitjes pa arsye të pesë prej tyre, rezultatet e përllogaritjeve në rang ekipesh dolën të deformuara. Pas zhvillimit të Kampionatit Botëror, presidenti i FSHR-së, së bashku me kryetarët e klubeve, do të organizojë një mbledhje për marrjen e një vendimi mbi këtë çështje dhe për përllogaritjen e re të rezultateve ekipore për Kupën e Shqipërisë.

18.09.2024 - Ambasada Tuniziane në Athinë, Greqi, dha përgjigje pozitive në lidhje me lëshimin e vizave tuniziane për anëtarët e Ekipit Kombëtar: Anila Shati, Elvira Shërali, Mimoza Balliu dhe Fatos Demeti, të cilët do të përfaqësojnë Ekipin Shqiptar me pjesëmarrjen në Kampionatin Botëror IARU HSTWC, që do të zhvillohet më 9–13 tetor 2024 në Tunizi, Afrikë. Pritja për përfundimin e procedurave të vizave vazhdon.

18.09.2024 - Kryesia e “Radio-Sport Burreli” dorëzoi, me shumë vonesë dhe vetëm pas kërkesave të përsëritura, listën prej tetë sportistësh radioamatorë që do të marrin pjesë në Kampionatin Kombëtar dhe Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë”, që do të zhvillohen më 5–6 tetor në qytetin e Burrelit. 

17.09.2024 - FSHR iu drejtua zyrtarisht dhe në mënyrë të përsëritur Ambasadës Tuniziane në Athinë, Greqi, për të marrë informacion mbi procedurën që duhet ndjekur në lidhje me kërkesën për vizat tuniziane për anëtarët e Ekipit Kombëtar, të planifikuar të marrin pjesë në Kampionatin Botëror IARU HSTWC, që do të zhvillohet më 9–13 tetor 2024 në Tunizi, Afrikë.

16.09.2024 - Të gjitha ekipet sportive radioamatore, me përjashtim të “Radio-Sport Burreli”, dorëzuan listat e sportistëve radioamatorë që do të marrin pjesë në Kampionatin Kombëtar dhe Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë”, që do të zhvillohen më 5–6 tetor në qytetin e Burrelit.

13.09.2024 - Në mungesë të plotë të fondeve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për vitin 2024, dhe në pamundësi për të organizuar veprimtari pa mbështetje financiare, në një periudhë vështirësish ekonomike ku edhe vetë ekzistenca e FSHR-së rrezikohej, pesë anëtarë të klubit sportiv radioamator Radio-Sport Burreli – DK (financiere), MK, ZD (mësuese), RS dhe znj. Zhulieta Hoti (kryetare e klubit) - sponsorizuan pjesërisht, me shumën prej 49.700 lekësh, shpenzimet e parashikuara për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”, që do të mbahen më 5–6 tetor në qytetin e Burrelit.

Kryesia e FSHR-së dhe të gjithë anëtarët shprehin mirënjohjen e tyre të sinqertë për këtë kontribut.

12.09.2024 - FSHR iu drejtua zyrtarisht Ambasadës Tuniziane në Athinë, Greqi, për të marrë informacion mbi procedurën që duhet ndjekur në lidhje me kërkesën për vizat tuniziane për anëtarët e Ekipit Kombëtar, të planifikuar të marrin pjesë në Kampionatin Botëror IARU HSTWC, që do të zhvillohet më 9-13 tetor 2024 në Tunizi, Afrikë.

11.09.2024 - Misionet diplomatike në BE, si dhe ambasadat dhe konsullatat e Tunizisë në Serbi, Itali dhe Austri, konfirmuan se vetëm Ambasada Tuniziane në Athinë, Greqi, është përgjegjëse për shtetasit shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe ka kompetencat e nevojshme për lëshimin e vizave tuniziane për anëtarët e Ekipit Kombëtar.

09.09.2024 - FSHR vijon përgatitjet për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe pjesëmarrjen në atë Botëror, me fokus të veçantë në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për pajisjen me vizat tuniziane.

05.09.2024 - Megjithëse, për shkak të mungesës së fondeve dhe problemeve të tjera organizative, Ekipi Kombëtar nuk është përcaktuar ende, FSHR njoftoi Organizatën Kombëtare Antidoping (OKAD) për zhvillimin e Kampionatit Botëror të 20-të IARU HSTWC 2024 “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”, që do të mbahet më 9–13 tetor në Nabeul, Tunizi, Afrikë.

05.09.2024 - FSHR njoftoi sportistët radioamatorë të të gjitha klubeve sportive të radioamatorizmit për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë”, që do të mbahen më 5-6 tetor 2024 në qytetin e Burrelit.

04.09.2024 - FSHR njoftoi Organizatën Kombëtare Antidoping (OKAD) për zhvillimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”.

04.09.2024 - FSHR i dërgoi Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe avokatit mbrojtës të gjithë materialin e dokumentuar në lidhje me Kampionatin Botëror të 19-të IARU HSTWC 2023, së bashku me kërkesën për informacion nga FSHR dhe vërtetimin me shkrim të IARU-së. Pritet një përgjigje pozitive; në të kundërt, do të ndërmerren hapat e nevojshëm ligjorë dhe mediatikë.

29.08.2024 - Avokati i FSHR-së zhvilloi një takim formal pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) në lidhje me shpërblimet për sportistët radioamatorë pjesëmarrës në Kampionatin Botëror IARU HSTWC 2023. Gjatë takimit, përfaqësuesit e MAS pretenduan se ky aktivitet nuk përbën një Kampionat Botëror.

15.07.2024 - Për shkak të mungesës së fondeve të nevojshme për organizimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”, të planifikuara fillimisht më 13–14 prill 2024, më pas më 18-19 maj 2024 dhe më vonë më 16-17 gusht 2024, FSHR vendosi shtyrjen e këtyre aktiviteteve të rëndësishme për datat 5-6 tetor 2024.

10.06.2024 - Kampionati Botëror “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë” do të zhvillohet më 9-13 tetor në Nabeul, Tunizi. Ky kampionat, që organizohet për herë të parë në kontinentin afrikan, do të ketë pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e FSHR-së vetëm nëse sigurohen fondet e nevojshme, qoftë nga buxheti i shtetit përmes Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, qoftë nga donatorë të mundshëm. Për këtë qëllim, FSHR ka hapur një fushatë GoFundMe në adresën: https://www.gofundme.com/f/albania-amateur-radio-20th-iaru-hst-world-champ si dhe ka vendosur një kod QR në krye të faqes zyrtare të internetit, duke ftuar këdo ta shpërndajë atë.

01.06.2024 - Më 28-30 qershor 2024, në Friedrichshafen, Gjermani, zhvillohet “HAM RADIO 2024 - International Amateur Radio Exhibition”, i organizuar nga DARC, një nga ngjarjet më të mëdha të radioamatorëve në Evropë. Për shkak të mungesës së fondeve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit nëpërmjet buxhetit të shtetit, presidenti i FSHR z. Florian Gjonej, ZA5G dhe kryetari i SHKRSH z. Fatmir Elezi, ZA1RR do të përfaqësojnë FSHR-në atje me shpenzime personale..

30.05.2024 - Në mungesë të reagimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) lidhur me shpërblimet për sportistët radioamatorë pjesëmarrës në Kampionatin Botëror, FSHR kontaktoi studio ligjore e juristë për mbështetjen e kërkesës së ligjshme të sportistëve radioamatorë, nëse e nevojshme edhe ndjekjen e çështjes në rrugë ligjore.

04.04.2024 - Bazuar në Ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”, të ndryshuar me VKM nr. 789, datë 15.12.2021, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë dhe trajnerëve të tyre”, dhe në mungesë të një përgjigjeje pozitive nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, FSHR përsëriti kërkesën me afat për shpërblimet e sportistëve radioamatorë në lidhje me Kampionatin Botëror HST 2023.

03.04.2024 - Për shkak të mungesës së fondeve të nevojshme për organizimin e Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”, të planifikuara fillimisht më 13-14 prill 2024 dhe më pas më 18-19 maj 2024, FSHR vendosi shtyrjen e këtyre aktiviteteve të rëndësishme për datat 16-17 gusht 2024.

27.03.2024 - Mbyllja e bilancit të vitit 2023 dhe dorëzimi i tij pranë organeve tatimore u krye brenda afateve ligjore. Kërkesa e FSHR-së për pezullimin e Taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore dhe të Taksës për tarifën e pastrimit, me argumentin se FSHR nuk ka seli reale fizike por vetëm virtuale për NIPT-in, nuk ka pasur asnjëherë të punësuar dhe nuk ka përfituar fonde fikse nga MAS përmes buxhetit të shtetit, mori përgjigje me telefon nga Bashkia Tiranë se nuk mund të merret parasysh.

27.03.2024 - Bazuar në Ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”, të ndryshuar me VKM nr. 789, datë 15.12.2021, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë dhe trajnerëve të tyre”, si dhe në Ligjin nr. 105/2020, pikat 4, 6, 9, 15, 16 dhe 17 për veprimtaritë kombëtare zyrtare, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit i kërkoi Bashkive të Elbasanit dhe Krujës zbatimin e ligjit në lidhje me shpërblimet për sportistët radioamatorë elitarë, për rezultatet e shkëlqyera të arritura gjatë vitit 2023 dhe veçanërisht në Kampionatin Kombëtar.

14.02.2024 - Bazuar në Ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”, të ndryshuar me VKM nr. 789, datë 15.12.2021, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë dhe trajnerëve të tyre”, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit, pas përgjigjes negative të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), përsëriti kërkesën për shpërblimet e sportistëve radioamatorë elitarë dhe trajnerëve të tyre, për rezultatet e shkëlqyera të arritura gjatë vitit 2023 dhe veçanërisht në Kampionatin Botëror HST 2023.

20.12.2023 - FSHR përpiloi dhe dërgoi relacionet narrative të aktiviteteve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

05.12.2023Bazuar në Ligjin nr. 79/2017 “Për Sportin”, të ndryshuar me VKM nr. 789, datë 15.12.2021, “Për kriteret, mënyrën e shpërblimit dhe trajtimin e sportistëve që përfitojnë statusin e nivelit të lartë dhe trajnerëve të tyre”, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit i kërkoi Ministrisë së Arsimit dhe Sportit shpërblimet për sportistët radioamatorë elitarë dhe trajnerët e tyre, për rezultatet e shkëlqyera të arritura gjatë vitit 2023 dhe veçanërisht në Kampionatin Botëror HST 2023.

16.12.2023 -  Federata Shqiptare e Radioamatorizmit zhvilloi në Tiranë Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme.

15.11.2023 - FSHR njoftoi mbajtjen e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme. 

09-13.09.2023Ekipi Kombëtar i Shqipërisë, me mbështetjen kryesisht të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe pjesërisht të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), mori pjesë në Kampionatin Botëror të 19-të IARU HSTWC 2023, zhvilluar në Primorsko, Bullgari, me një përbërje prej gjashtë sportistësh radioamatorë elitarë. Ekipi u rendit në vendin e 6-të në botë, ndërsa rezultatet individuale të sportistëve në disiplinat përkatëse varionin nga vendi i 3-të deri në vendin e 9-të në botë.

02-03.09.2023 - Me mbështetjen financiare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS), FSHR organizoi në Elbasan Kampionatin e 6-të Kombëtar të Radioamatorizmit dhe Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”. Titullin “Kampione e Vendit” për femra e fitoi znj. Anila Shati, e ekipit Radio-Sport Elbasani, ndërsa titullin “Kampion i Vendit” për meshkuj e fitoi z. Kujtim Çela, i ekipit Radio-Sport Kruja. Kupën e Shqipërisë në “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë” e fitoi ekipi Radio-Sport Burreli, ndërsa RadioKlub Partizani dhe Radio-Sport Kruja u renditën përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë.

01.08.2023 - Federata Shqiptare e Radioamatorizmit do të përfaqësojë Shqipërinë në Kampionatin Botëror të 19-të “High Speed Telegraphy” – HSTWC, të organizuar nga International Amateur Radio Union (IARU), që do të zhvillohet më 9–13 shtator në Primorsko, Bullgari. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë disa nga sportistët radioamatorë që do të arrijnë rezultatet më të larta në Kampionatin Kombëtar “Telegrafi - Shpejtësi e Lartë”. Detajet e hollësishme do t’u komunikohen sportistëve pas përfundimit të Kampionatit Kombëtar dhe Kupës së Shqipërisë në “Telegrafi – Shpejtësi e Lartë”, që do të zhvillohen në Elbasan më 2-3 shtator 2023. Numri i pjesëmarrësve në Kampionatin Botëror do të varet nga fondet në dispozicion të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) dhe Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

12.07.2023 -Në bazë të Rregullores së IARU-t për Kampionatet e HST-së, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit përpilon Rregulloren për Kampionatet HST në Shqipëri.

15.04.2023 - Komisioni i verifikimit, kontrollit dhe marrjes në dorëzim të dokumentacionit të FSHR-së për vitet 2015-2022 shqyrtoi edhe dokumentet financiare të periudhës 15.04.2015-31.12.2022 dhe përpiloi procesverbalin nr. 2317 prot. Nga verifikimi rezultoi se ish-Sekretari i Përgjithshëm, z. Fatos Demeti (ZA1F), jo vetëm që nuk ka bërë ndonjë mashtrim apo vjedhje sipas pretendimeve të disa personave të cilët nuk kanë kontribuar kurrë asgjë, por gjatë viteve 2015-2022, për të mos penguar zhvillimin e aktiviteteve të FSHR-së për shkak të mungesës së fondeve, në pamundësi tërheqjeje dhe në pritje të përmirësimit të gjendjes financiare të FSHR, ka paguar për FSHR nga të ardhurat e tij personale (rroga dhe pensioni) shumën totale prej 241.790 lekësh. FSHR-ja duhet t’ia kthejë këtë shumë kur të ketë burime të mjaftueshme financiare.

14-18.09.2022 - Ekipi Kombëtar i Shqipërisë, i përbërë nga tetë sportistë radioamatorë të FSHR-së dhe i financuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), mori pjesë në Kampionatin e 18-të Botëror të IARU HSTWC, zhvilluar në Sokobanja, Serbi, pavarësisht kushteve të vështira të pandemisë Covid-19. Ekipi u rendit në vendin e 5-të nga 13 vende pjesëmarrëse.

10-14.09.2021Ekipi Kombëtar i Shqipërise i përbëre me 7 sportistët radioamatorë të FSHR e i financuar nga KOKSH - Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, edhe pse në kohë të vështira të pandemisë Covid, mori pjesë në Kampionatin e 17-të Botëror të IARU HSTWC në Herzeg Novi, Mali i Zi ku zuri vendin e 6-të nga 21 vende pjesëmarrëse.

13-17.09.2019Për shkak të mungesës së fondeve, ekipi përfaqësues i FSHR-së nuk mori pjesë në Kampionatin Botëror të 16-të IARU HSTWC, zhvilluar në Albena, Bullgari.

01-05.05.2019 - Ekipi Kombëtar i Shqipërisë, i përbërë nga shtatë sportistë radioamatorë të FSHR-së dhe i financuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), mori pjesë në Kampionatin Ballkanik dhe atë Evropian, zhvilluar në Bukuresht, Rumani. U fituan tetë medalje bronzi dhe një medalje argjendi, duke u renditur në vendin e 3-të në Ballkan dhe në vendin e 5-të në Evropë.

01-12.10.2018 - Federata Shqiptare e Radioamatorizmit përmes ndërmejtësimit të Radioklub Shkodra, aktivizoi radioamatorë të rinj, kryesisht nga klubi sporti radioamator Radio-Sport Elbasani, në veprimtarinë e organizuar nga RadioKlub Shkodra në bashkëpunim me RadioKlub Graz, Austri, gjatë Kampionatit “Marconi” në bandën 2 m. Për herë të parë u realizua aktivizimi i Shqipërisë në komunikimin EME (Earth-Moon-Earth) - Tokë-Hënë-Tokë, kryesisht me Evropën, por edhe me Azinë, Afrikën dhe Amerikën, duke pasuruar njohuritë mbi komunikimet telemetrike, digjitale dhe telegrafike përmes Hënës.

25-29.08.2018 - Për shkak të mungesës së fondeve, ekipi përfaqësues i FSHR-së nuk merr pjesë në Kampionatin Botëror të 15-të IARU HSTWC, në Astana, Kazakistan.

08-12.09.2017 -Për shkak të mungesës së fondeve, ekipi përfaqësues i FSHR-së, i përbërë vetëm nga tre sportistë radioamatorë të vetëfinancuar, mori pjesë në Kampionatin Botëror të 14-të IARU HSTWC, zhvilluar në Esztergom, Hungari, ku u rendit në vendin e 7-të nga 26 vende pjesëmarrëse.

21-25.09.2016 -  – Për shkak të mungesës së fondeve, ekipi përfaqësues i FSHR-së nuk merr pjesë në Kampionatin Botëror të 13-të IARU HSTWC, në Igalo, Mali i Zi.

09-13.09.2015 - Për shkak të mungesës së fondeve, ekipi përfaqësues i FSHR-së, i përbërë vetëm nga tre sportistë radioamatorë të vetëfinancuar, mori pjesë në Kampionatin Botëror të 12-të IARU HSTWC, zhvilluar në Ohër, Maqedoni, ku u rendit në vendin e 15-të nga 24 vende pjesëmarrëse.

15-17.05.2015 - Për shkak të mungesës së fondeve, ekipi përfaqësues i FSHR-së, i përbërë vetëm nga dy sportistë radioamatorë të vetëfinancuar, mori pjesë në Kampionatin Ballkanik të HST-së, zhvilluar në Zvilajnac, Serbi.

Prill 2015 - U krye riorganizimi i Federatës Shqiptare të Radioamatorizmit dhe u zhvilluan zgjedhjet për Presidentin, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Komitetin Ekzekutiv.

09.02.2005 - Pas periudhës së tranzicionit, Federata Shqiptare e Radioamatorizmit u regjistrua si shoqatë OJF në Gjykatën e Rrethit Tiranë, me qëllim statutor ushtrimin e sportit të radioamatorizmit; bashkimin, koordinimin, organizimin dhe drejtimin e aktiviteteve sportive të sportistëve radioamatorë në Shqipëri; rritjen e aftësive cilësore të tyre në mbarë vendin përmes një stërvitjeje të organizuar dhe të planifikuar sipas standardeve ndërkombëtare në ushtrimin me tasto, marrjen direkte dhe përdorimin e aparaturave bashkëkohore; njohjen e kodit Q të komunikimit botëror; si dhe përgatitjen për punën në radiostacion, brenda vendit dhe në rrjetin ndërkombëtar. Themeluesit janë: Miftar Fana, Fatos Demeti, Hyqmet Shypheja, Mynir Bulku dhe Florian Gjonej.

1952 - shënon themelimin e Federatës Shqiptare të Radioamatorizmit.