Dita Botërore e Radioamatorëve - World Amateur Radio Day
POTA (Parks On The Air) – Parqet në ajër
POTA (Parks On The Air) – Parqet në ajër

“Parks on the Air” (POTA) është një aktivitet radioamator ku operatorët, të pajisur me radio të lëvizshme, tasto, antena, bateri dhe mjete të tjera portative, vendosen në parqe publike dhe krijojnë kontakte radio me sportistë radioamatorë në mbarë botën. Veçantia e kësaj disipline sportive qëndron në kombinimin e pasionit për radioamatorizmin me aktivitetin në natyrë, duke e kthyer atë në një përvojë që bashkon teknologjinë, aventurën dhe shëndetin fizik.

POTA është përgjithësisht e lehtë për t’u aktivizuar dhe e përshtatshme edhe për pjesëmarrësit më të moshuar ose ata më pak ambiciozë në aspektin sportiv. Në kontekstin e një shëtitjeje familjare, POTA është ndër disiplinat sportive radioamatoriale më miqësore për familjen dhe shoqërinë në natyrë, ku mund të marrë pjesë e gjithë familja, shokët dhe miqtë, ndërsa secili mund të ndjekë edhe interesa të tjera (si p.sh. gatimi në natyrë) përveç radioamatorizmit.

Kështu, pavarësisht nga organizimi, gatishmëria apo koha e të tjerëve për të marrë pjesë, çdo ditë mund të shndërrohet në një aktivitet të bukur e plot gjallëri me familjen dhe shoqërinë. Duke ngritur dhe operuar stacione të lëvizshme radioamatorësh në parqe publike, trajnohen dhe promovohen gjithashtu aftësitë praktike të operatorëve radio në lidhje me komunikimet për emergjencat civile.

Fillimisht, Parks on the Air (POTA) ishte një degë e programit National Parks on the Air (NPOTA), i nisur në SHBA në vitin 2016, si një aktivitet në natyrë për të festuar 100-vjetorin e Shërbimit të Parqeve Kombëtare. POTA u zhvillua si vazhdim i këtij projekti dhe u shndërrua shpejt në një disiplinë të pavarur dhe mjaft popullore në komunitetin radioamator. Sot, më shumë se 5000 parqe - kryesisht në SHBA, Kanada dhe shumë vende të tjera — janë pjesë e programit dhe aktivizohen çdo ditë nga radioamatorë në mbarë botën, duke kombinuar pasionin për radion me eksplorimin e natyrës.

Ashtu si pothuajse në të gjitha garat e radioamatorëve, edhe POTA ofron mundësinë për t’u regjistruar dhe për të marrë pjesë zyrtarisht në një garë për diploma dhe trofe radioamatorësh. Pjesëmarrja mund të bëhet në dy mënyra:

  •  - Si aktivizues – duke qenë QRV vetë në një park dhe duke e “aktivizuar” atë.

  •  - Si gjuetar – duke u përpjekur të kontaktoni stacionet që ndodhen në parqe të tjera.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Radioamatorizmit, z. Florian Gjonej (ZA5G), ka bërë të mundur regjistrimin e parqeve kryesore të Shqipërisë në programin Parks on the Air (POTA).

Informacione të tjera mund të lexoni në faqen e internetit të POTAs.

WWFF (World Wide Flora Fauna) - Flora dhe Fauna Mbarëbotërore